Xhuljano Sollaku, i skeduar për një vrasje në Elbasan

schedule15:43 - 24 Mars, 2018

schedule 15:43 - 24 Mars, 2018

Policia e Elbasanit dyshon se Xhuljano Sollaku ishte një person me rrezikshmëri të lartë, pasi ka qenë i skeduar edhe për një vrasje të ndodhur dy vite më parë. ABC News zbuloi nga grupi hetimor se 20-vjeçari që mbeti i vrarë në qytetin e Fierit, gjatë një tentative grabitje, dyshohej se merrej edhe me vjedhjet e automjeteve luksoze.

Xhuljano Sollaku, grabitësi që u qëllua për vdekje nga policia e Fierit, pas përplasjes me armë në tentative vjedhje të një banese mëngjesin e së premtes, ishte një person me rekorde kriminale edhe për uniformat blu të qytetit të Elbasanit.

Edhe pse në moshë të re, 20-vjeçari kishte si begraund shumë vjedhje në qytetin e tij të lindjes, por së fundmi merrej edhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, kryesisht, heroinë dhe kokainë.

Burime nga grupi hetimor i thanë ABC News se Sollaku kishte kryer bashkë me dy miqtë e tij, të paktën 50 vjedhje në zonën e Bradasheshit dhe Katundit të Ri, duke u kthyer në makthin e banorëve që jetojnë në periferi të Elbasanit. Por në asnjë rast, uniformat blu nuk kishin mundur ta arrestonin në flagrance “ekspertin”, siç njihej ndryshe 20-vjeçari nga miqtë e tij.

Në të vetmin rast kur është prangosur për grabitje ka qenë disa vite më parë në Greqi, ku jetojnë edhe prindërit e tij, por për shkak të moshës së re, atij dënimi iu konvertua në shërbim prove.

Të njëjtat burime pohojnë se viktima, Xhuljano Sollaku dyshohej se ishte pjesë edhe të një grupit tjetër kriminal, i cili operonte në fushën e automjeteve të vjedhura në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe më pas tregtoheshin për pjesë këmbimi në tregun e zi.

Gjithashtu i riu ka qenë i hetuar edhe për një vrasje të ndodhu në qytetin e Elbasnit rreth dy vite më parë, afër “Stacionit të Trenit”, por nuk u provua fajësia e tij, ndërsa ajo ngjarje vijon të jetë ende pa autor.

Xhuljano Sollaku jetonte vetëm me gjyshen, pasi prindërit i kishte emigrantë në Greqi. 20-vjeçari u vra gjatë përplasjes me armë me policinë, pasi bashkë me tre shokët e tij sulmuan një shtëpi në Fier për ta grabitur. Ai ishte djali i vogël i familjes Sollaku. Në Elbasan, i riu jetonte në një vilë dy katëshe dhe kishte në emër të familjes edhe një lavazh, të cilin e kishte dhënë me qira./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!