Dy mitingje dhe ca bicikleta në mes. Jo ato të Erion Veliajt dhe bashkisë, por të qindra sportistëve nga e gjithë bota. Gara e Giro D’Italia, ka cliruar qendrën e Tiranës nga mitingjet elektorale duke i spostuar ato në dy skajet e Tiranës. Socialistët do e mbyllin në fushën e blertë pranë Parkut Olimpik, me sloganin e fushatës, flamujt europiane, ndërsa demokratët me shpresa dhe këshilltarë amerikanë.
Por Giro d’Italia duket se ka vendosur jo pak në siklet të dyja kampet. Bllokimi i rrugëve, po shtyn edhe oraret. Kryesocialisti Rama ka ftuar mbështetësit socialistë të mblidhen në 19:30 në Komunën e Parisit. Por nëse postimi i Ramës ishte një ftesë e thjeshtë me orarin e korigjuar, Sali Berisha u duk më i tensionuar para kamerave.
“Ju lutem, kohën e kam të kufizuar sot, vetëm një ose dy pyetje”
Pas një dite të gjate dje, kur njerëzit e tij u munduan të bindin opinionin se Berisha nuk është më i padëshiruar për Amerikën, sot doktori bëri një përpjekje të fundme të bindte gazetarët, se të hënën pas zgjedhjeve, nuk do jepte dorëheqjen. Përkundrazi:
“Kjo do të jetë konferenca e ime e fundit si kryetar opozite, mbasi pas datës 12 maj kjo opozitë, bëhet mazhorancë e Shqipërisë.E keni ndjerë dhe ju dhe e ka ndjerë çdo shqiptar këtë. Kjo është ndjesia më reale. Por në mënyrën më të frikshme e ka ndjerë Edi Rama.”
Por si gjithmonë, surprizat ruhen në ditët e fundit. Nëse ajo e Cavutos nuk ngjiti edhe aq, ka gjithmonë kohë për sot pasdite:
“Sonte, kësaj fushate fantastike, që u zhvillua për një muaj, duhet t’i vendosim kurorën më të bukur në ballin e saj, në ballin e Shqipërisë.”
Por megjithëse do mbajë një fjalim, nuk do jetë Cris la Civita ylli i mbrëmjes blu
Përkrah Stresit, rivalit të Noizyt, ylli në ngritje i Partise Demokratike thirri njerëzit sot pasdite, por me kujdes stafi thotë se mitingu do jetë gati pak më vonë se ora 19:00. Shkak përmendet xhiro d’Italia dhe vështirësitë e trafikut. Por vështirësia më e madhe, ajo e mbledhjes së njerezve, lehtësohet me rënien e diellit dhe afrimit e natës. Kjo fushatë po mbaron, ashtu si nisi. Një seri gjysmë të vërtetash, gjysmë gafash. Dhe një faturë kostosh që në 12 maj do jetë më e lartë se 6 milionë dollarë”/abcnews.al