Xhelozia greke për Edi Ramën, Kathimerini: Ja si po na sfidon me mbështetjen e BE

schedule10:20 - 19 Dhjetor, 2023

schedule 10:20 - 19 Dhjetor, 2023

“Pse europianët edhe amerikanët e mbështesin kaq shumë kryeministrin Rama?” Një pyetje retorike, që mediat greke ja kanë drejtuar qytetarëve në një artikull me fokus kryesor: mbajtja në burg i Fredi Belerit.

“Edhe nëse Këshilli Europian kthehet përmbysë, ne nuk jemi të hapur për asnjë negociatë që bie ndesh me interesin strategjik të Shqipërisë, që është zbatimi i reformës në drejtësi dhe ruajtja e pavarësisë së institucioneve të saj të drejtësisë,” u shpreh Rama.

Beleri ka 15 ditë kohë për të apeluar vendimin, por mundësia që të ndodhë është e pakët. Me shumë mundësi ai nuk do të betohet si kryetar bashkie. Pra, tani të gjithë sytë janë kthyer tek dita e nesërme, ku autoritetet e prokurorisë shqiptare do të duhet të mbështesin pretendimet e tyre me prova që janë shumë më bindëse se çdo gjë që kemi parë deri më tani.

Në rast se Beleri shpallet fajtor, ai ka të drejtë të drejtohet në Gjykatën e Apelit dhe më pas në Gjykatën e Lartë. Megjithatë, një dënim në dosjen e tij kriminale nënkupton se ai nuk do të jetë në gjendje të kandidojë në zgjedhjet e reja.

Paralajmërimi i Athinës se do të ushtrojë të drejtën e vetos për të penguar nga fillimi bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Europian midis Brukselit dhe Tiranës, duket se nuk e ka trembur aspak kryeministrin shqiptar në hakmarrjen e tij ndaj Belerit.

Rama, në fakt, duket se ka mbajtur një qëndrim sfidues ndaj thirrjeve europiane për një rezolutë për këtë çështje. Kokëfortësia e tij është forcuar më tej nga deklarata e kancelarit gjerman Olaf Scholz se çështja është një “mosmarrëveshje dypalëshe” dhe që nuk lidhet me kërkesat e BE-së në lidhje me sundimin e ligjit në procesin e anëtarësimit.

Por nga buron gjithë kjo dashuri për Ramën?

Pse evropianët dhe amerikanët janë të gatshëm ta hedhin Greqinë poshtë kur është aleati i tyre më i rëndësishëm dhe më i besueshëm në Europën Juglindore?

Kryeministri shqiptar duket se ka bërë një punë të mirë duke i bindur se kjo është një çështje dypalëshe, një çështje e thjeshtë penale që i takon vetëm sistemit të drejtësisë së vendit dhe se ky sistem drejtësie është padiskutim i pavarur.

Ai nuk humbet asnjëherë rastin, kur flet për çështjen e Belerit, duke u kujtuar europianëve se prokuroria, gjykatat dhe policia shqiptare aspirojnë standardet e vendosura nga Europa dhe se asnjë vend tjetër nuk ka të drejtë të ndërhyjë.

“Kryeministri dinak” siç e citon media greke, vazhdon ta projektojë veten si lideri që mund të garantojë stabilitetin e brendshëm politik dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë.

Ai e cilëson veten si një politikan me ndikim me cilësitë drejtuese të nevojshme për të kontrolluar zhvillimet e rrezikshme në Kosovën. Të gjithë e kuptojnë se pa Tiranën dhe Beogradin, pra pa Ramën dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç, ka pak shpresa për përmirësim të situatës në Kosovë.

Mund të mos e thotë me zë të lartë, por Perëndimi sheh te Rama një kryeministër pro-europian, i cili pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, po e mbron Shqipërinë nga islamzimi dhe nga shndërrimi i saj në urën e Turqisë për në detin Adriatik.

Në fund të fundit, ai ka treguar se do të bëjë atë që i kërkohet. Të tilla si, për shembull, pranimi i marrëveshjes së kryeministres italiane Giorgia Meloni që Shqipëria të presë mijëra emigrantë dhe refugjatë që përpiqen të kalojnë në Europë nga Afrika.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!