Xhani De Biazi shkarkohet nga Alaveshi në Spanjë

schedule17:02 - 27 Nëntor, 2017

schedule 17:02 - 27 Nëntor, 2017

Xhani De Biazi nuk mundi ta përfundonte aventurën e nisur këtë sezon në Spanjë. Humbja e fundit në Primera Divizion rezultoi fatale për ish-trajnerin e Shqipërisë.

Dita e parë e stërvitjes, ishte një kënaqësi.
Xhani De Biazi ishte i lumtur që e vazhdoi karrierën e tij edhe në moshën 61-vjeçare, por Spanja doli sërish fatale.
Ish-trajneri i Shqipërisë u shkarkua nga Deportivo Alavesh, klubi i Ligës së Parë spanjolle, pas humbjes së pësuar në shtëpi ndaj Eibarit.
Disfata e zbriti ekipin në vendin e fundit në renditje, plot 6 pikë larg zonës së shpëtimit dhe drejtuesit nuk patën më durim dhe besim.
Dy fitore të arritura nën drejtimin e De Biazit nuk ishin bilanc i mjaftueshëm, pasi u pësuan 5 humbje.
Italiani nuk ishte në stol në fillimin e sezonit, pasi u emërua në 23 shtator për të zëvendësuar ish-trajnerin Zubeldia.
Alavesh, në momentin që ai nisi punën, ishte sërish në vendin e fundit, madje pa asnjë pikë të fituar, me 6 humbje në 6 ndeshjet e luajtura deri në atë moment.
Përmirësimi me italo-shqiptarin nuk mjaftoi dhe ndoshta skuadra nuk e ka cilësinë për të përballuar nivelin e Primera Divizionit, edhe pse në përbërje janë lojtarë të njohur të sulmit si Bojan Krkiç apo Munir El Hadadi.
Alavesh falenderoi De Biazin pas ndërprerjes së bashkëpunimit, i uroi sukses në të ardhmen dhe caktoi si trajner të përkohshëm Havier Kabejon.
Nuk dihet ndërkaq nëse ish-trajneri i Shqipërisë do të ketë shans tjetër për të vazhduar profesionin dhe pasionin e tij./abcnews.al