Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj në Komisionin e Ligjeve i ka drejtuar disa pyetje ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja lidhur me zhvillimet në reformën në drejtësi.
Teksa u shpreh se Reforma në Drejtësi tani po jep rezultatet e para, Xhafaj shprehu disa shqetësime në lidhje me përgjigjen e institucioneve të drejtësisë. Ministri Manja e pranoi se mungesa e një sistemi të menaxhimit të integruar të çështjeve, sjell problematika për mënyrën se si transmetohen të dhënat.
Pjesë nga diskutimi:
Xhafaj: Reforma në drejtësi është formësuar dhe kemi rezultatet e para. Kemi qartësimin e pozicioneve të vjetra dhe rreshtime të reja në raport dhe reformën dhe drejtësinë e re. Duhet një raport më i thelluar për të kuptuar problematikat e këtij procesi.
Në këtë kontekst të situatës, por edhe të vetë ligjit do doja t’i bëja ministrit disa pyetje lidhur me zhvillimet në sistem për të kuptuar më mirë disa gjëra nga ky këndvështrim.
1-Shoh një shqetësim tuajin në lidhje me përgjigjen e disa institucioneve me 2 ose 4 muaj vonesë. Ju thoni që i keni kërkuat informacion Prokurorisë dhe SPAK dhe i keni marrë përgjigjet e tyre me 5 muaj me vonesë.
A ka diçka që nuk shkon? Apo është diçka normale në komunikimin tuaj me ato institucione.
2-A mund të dimë shkurt cila është metodologjia e ndjekur për rekomandimet e vitit 2022? Ju keni ardhur të paraqisni përfundimet tuaja lidhur me zbatimin e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave për vitin 2022 për luftën kundër kriminalitetit.
3-A përputhen këto rekomandime me problematikat reale konkrete?
4-Ju keni vendosur si prioritet numër një garantimin e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së prokurorëve. Cila është lidhja që ju bëni me kriminalitetin dhe cilat janë problematikat konkrete që e bënë këtë prioritetin numër një të rekomandimeve tuaja?
5-Në 2021 kemi bërë ndryshime të 7-8 ligjeve dhe e kemi quajtur paketa e eficensës. A kemi një analizë se cili është efekti që kanë sjellë?
Manja: Lidhur me marrjen e informacionit dhe me kthim përgjigjet në funksion të treguesve të kriminalitetit për vitin 2021. Ky problem dhe metodologjia që përdoret sot meriton një analizë të posaçme. Meriton një analizë sepse sot mënyrë e transmetimit të të dhënave ka një problematikë. Ka të bëjë me mospasjen e një sistemi të menaxhimit të integruar të çështjeve që është edhe një nga prioritetet e punës së ministrisë së Drejtësisë. Ky sistem do krijonte mundësinë e pasjes së një data baze. Metodologjia që ndiqet është ajo që është prezantuar. Ne i referohemi informacioneve periodike që marrim nga drejtuesi i SPAK dhe prokurori i përgjithshëm, por dhe informacionet që marrim nga 4 ministri. Po ashtu edhe raporte të organizmave ndërkombëtarë që monitorojnë këto institucione. Pyetja tjetër ka të bëjë me përputhjen e shifrave. Nëse do ta kishim databazën mbase do të kishim dhe ne mundësinë për të pasur një politikë më të orientuar në lidhje me luftën kundër kriminalitetit. Ne kemi kërkuar që të thellohen hetimet për veprat penale të pastrimit të parave she shtimit të aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Manja ka raportuar gjithashtu mbi punën nga ana e Prokurorisë në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2021. Manja tha se reforma që është ndërmarrë në sistemin e drejtësisë ka pasur si faktor kryesor krijimin e një sistemi drejtësie të aftë të sigurojë garantimin e pavarësisë, ndershmërisë dhe efektivitetit.
Manja: Në vlerësim të ministrisë së Drejtësisë, për vitin 2021 Prokuroria e Përgjithshme ka hetuar 1792 çështje penale për veprat penale në fushën e korrupsioni, me një numër total prej 321 personash nën hetim dhe janë marrë të pandehur 169 persona. Referuar hetimeve të filluara kryesisht për veprat penale në fushën e korrupsionit për vitin 2021, numri i përgjithshëm i veprave penale të referuara është 41541, nga të cilat vetëm 15 janë vepra penale të filluara nga prokurori. Vijon të mbetet i ulët roli proaktiv i prokurorit, veçanërisht në veprat penale kundër korrupsionit. Rezulton një rritje e çështjeve për veprat penale në fushën e pastrimit të parave të regjistruara në Prokurorinë e Përgjithshme, rreth 5.2 % më tepër krahasuar me vitin 2020. SPAK rezulton nga ky organ janë hetuar gjithsej 715 procedime penale, nga të cilat 352 janë mbartur nga viti 2022.
Ministri shtoi se SPAK është bërë një partner i besueshëm në hetimet e përbashkëta me homologët në Belgjikë, Itali, Holandë etj./abcnews.al/