Xhafaj bën fushatë për Veliajn

schedule17:28 - 30 Tetor, 2018

schedule 17:28 - 30 Tetor, 2018

Ministri i Brendshëm në detyrë Fatmir Xhafaj, pas dorëheqjes nga detyra ka nisur fushatën për kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Xhafaj bashkë me Veliajn takuan banorët e njësisë administrative numër 10.

Pas dorëheqjes nga drejtimi i Ministrisë se Brendshme Fatmir Xhafaj për herë të parë publikisht del në krah të kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Banorëve të njësisë administrative numër dhjete, Xhafaj i kërkoi votat për Erion Veliajn në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm në detyrë: “Ka njerëz që ulen në një karrige dhe janë të kënaqur se kanë kapur një karrige; ka njerëz që marrin pushtet dhe janë të lumtur që janë të pushtetshëm; ka njerëz që vijnë për të shërbyer, që kanë një mision që duan të lenë një gjurmë përmes mundësisë që u jep pushteti dhe ky është Erion Veliaj! Katër vjet më parë na është dashur të flisnim se kush është Erion Veliaj, kurse sot nuk na duhet fare të flasim sepse ai dhe ekipi i tij duhet të tregojnë çfarë punësh kanë bërë dhe janë duke bërë. Puna dhe rezultatet janë treguesi më i mirë, CV-ja më e mirë për cilindo. Erion Veliaj hyri për një mision dhe me punë, me rezultate, me atë çfarë ka bërë, është duke kërkuar një mandat të dytë, jo për të vazhduar të qendrojë në atë karrige, por për të shërbyer dhe për ta çuar përpara këtë mision. Gjëja më e mirë e tij është puna”.

Ndërsa vetë kryetari i Bashkisë vijoi fushatën për Partinë Socialiste me qëllim tha Veliaj, që ritmi i punëve në qytet të mos ndalet. Ndërkohë shigjetoi opozitën në këshillin bashkiak të Tiranës.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: “Na duhet sot një shumicë në Këshillin Bashkiak, ashtu siç kemi një shumicë në Parlament. Buxheti që po diskutojmë duhet të kalojë në Këshillin Bashkiak, në të cilin sot fatkeqësisht nuk kemi shumicën absolute. Jam i sigurt se ata të opozitës do të vijnë në ditën e votimeve, por duhet t’i pyesim: Ej, ku keni qenë? Pse keni tre vjet që nuk shkoni në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, që nuk votoni ndihmën ekonomike, pagesat e aftësisë së kufizuar, që nuk votoni kompensimin e energjisë, banesat sociale, bonusin e qirasë për familjet që s’përballojnë dot çmimet e tregut? Pse keni tre vite që nuk votoni asgjë në Bashkinë e Tiranës?”

Në dëgjesën me banorët e Njësinë 10 për buxhetin e vitit të ardhshëm, kryetari i bashkisë bëri të ditur se shumë shpejt do të nisë rehabilitimi i parkut “Rinia”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!