Vuçiç shpall fitoren në zgjedhjet e Serbisë

schedule07:56 - 4 Prill, 2022

schedule 07:56 - 4 Prill, 2022

Presidenti aktual i Serbisë dhe lideri i Partisë Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiq, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të mbajtura më 3 prill.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga organizatat joqeveritare në Serbi, IPSOS/CeSid, kandidati i Partisë Përparimtare Serbe dhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka fituar 59.8 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 3 prill.

Këto të dhëna dalin pas përpunimit të 55.6 për qind të votave, që i japin Vuçiqit edhe një mandat pesëvjeçar në krye të Serbisë.

Presidenti mund të zgjidhet në rundin e parë nëse merr më shumë se 50 për qind të votave të vlefshme. Në të kundërtën, dy kandidatët me më së shumti vota përballen në rundin e dytë të balotazhit.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga IPSOS/CeSid, në bazë të 62.5 për qind të votave të përpunuara, lista “Aleksandar Vuçiq – Së bashku mund të bëjmë gjithçka” ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare, përkatësisht 43.6 për qind.

Ndërkaq, koalicioni opozitar “Të bashkuar për fitore” pritet të dalë partia e dytë parlamentare me 12.9 për qind të votave.

Partneri i koalicionit të SNS-së, Partia Socialiste e Serbisë, sipas rezultateve paraprake, ka fituar 11.6 për qind të votave.

Koalicioni NADA pritet të fitojë 5.4 për qind, teksa koalicioni “Ne duhet” 4.3 për qind, Dveri 4 për qind dhe Zavetnici 3.9 për qind të votave.

Të dielën, më 3 prill, qytetarët serbë votuan në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, teksa zyrtarët zgjedhorë thanë se dalja në zgjedhje mund të jetë deri në 60 për qind të votuesve.

Kjo është një shifër më e lartë e pjesëmarrjes në zgjedhje, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kur kishin votuar 48.8 për qind e votuesve.

Në zgjedhjet e Serbisë të drejtë vote kanë pasur 6.5 milionë votues.

Përfaqësuesit e Komisionit të Zgjedhjeve në Serbi njoftuan se nuk do të shpallin rezultatet preliminare të zgjedhjeve gjatë natës së zgjedhjeve. Kjo është hera e parë që ky komision njofton për një vendim të tillë. Opozita ka kritikuar vendimin e komisionit duke e cilësuar si të paprecedent.

Komisioni tha se do të shpallë rezultatet të hënën më 4 prill deri në orën 20:00.

Parregullsi në zgjedhje

Vëzhguesit e zgjedhjeve në Serbi kanë raportuar parregullsi të shumta në disa qendra të votimit.

Misioni vëzhgues i organizatës joqeveritare CRTA ka dorëzuar në polici shtatë kallëzime penale për parregullsi.

Siç tha përfaqësuesi i kësaj organizate, këto parregullsi përfshinin blerjen e votave në qendrat e votimit, mbajtjen paralele të listave të votuesve, cenimin e fshehtësisë së votimit, si dhe praninë e personave të paautorizuar në vendvotime.

Lideri i njërës prej partive opozitare “Lëvizja Qytetarët e Lirë” (PSG), Pavle Grboviq, ka raportuar për sulm fizik në afërsi të një qendre të votimit.

Ai ka pretenduar se është sulmuar nga anëtarët e partisë në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe (SNS), derisa tha se ka pësuar lëndime në kokë. SNS i mohoi këto pretendime.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme përmes një njoftimi tha se Grboviq nuk i është përgjigjur thirrjes për të ardhur në polici dhe për të dhënë deklaratë me rastin e incidentit.

Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve tha në konferencën për shtyp se në qendra të caktuara votimi janë regjistruar përplasje të “aktivistëve të ndryshëm partiakë” dhe se për këtë kanë raportuar mediat.

Ai u bëri thirrje të gjitha partive politike që “të qetësojnë gjakrat” dhe “ta kalojnë pjesën tjetër të ditës së zgjedhjeve në paqe”.

Tetë kandidatë për president

Votuesit në Serbi të dielën kanë votuar për zgjedhjet presidenciale, me presidentin populist Aleksandar Vuçiq –i cili mburret për lidhjet e tij personale me presidentin rus, Vladimir Putin teksa Rusia vazhdon pushtimin e paprovokuar të Ukrainës – që pritet të fitojë një mandat tjetër pesëvjeçar në krye të shtetit.

Për president kanë kandiduar tetë persona.

Ndërkaq, pesë vjet pasi fitoi mandatin e parë si president, Vuçiq vazhdon të jetë forca dominuese në Serbi, duke predikuar paqe dhe stabilitet në një kohë kur Evropa po përballet me konfliktin më të madh që prej Luftës së Dytë Botërore.

Vuçiq paralajmëron dorëheqje nga kryesimi i partisë

Por, kritikët e tij thonë se ai ka rritur kontrollin e pushtetit përmes kontrollit të mediave dhe Qeverisë, deri në atë pikë saqë muajin e kaluar, tregoi se 43 për qind e të anketuarve u shprehën se nuk besonin se zgjedhjet e 3 prillit do të jenë të lira apo fer.

“Në vitet e fundit, partia në pushtet Partia Përparimtare Serbe ka cenuar në mënyrë të vazhdueshme të drejtat politike dhe liritë civile, duke ushtruar presion mbi mediat e pavarura, mbi opozitën dhe organizatat e shoqërisë civile”, tha Freedom House në vlerësimin e tij të fundit për Serbinë, duke e renditur shtetin në vendin e 62-të nga 100 shtete në indeksin e lirisë për vitin 2021.

Sfiduesi kryesor i Vuçiqit në këto zgjedhje është ish-shefi i ushtrisë Zdravko Ponosh – një gjeneral në pension, që doli si befasi si kandidat i kampit opozitar pro Bashkimit Evropian.

Ponosh, 60 vjeç, është “kandidat i qendrës së djathtë dhe duket se opozita dëshironte të gjente një person i cili do të mund të ishte një kandidat i mirë për atë që konsiderohet në skenën politike në Serbi, që anon nga e djathta”, tha Bojan Klacar, drejtor menaxhues i agjencisë së sondazheve Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci.

Një sondazh i Institutit për Çështje Evropiane, me seli në Beograd, ka parashikuar se Vuçiq do të fitojë në rundin e parë duke marrë 60 për qind të votave dhe Ponosh do të dalë i dyti me 18 për qind.

Gara për Parlamentin serb

Votuesit më 3 prill po ashtu votuan për zgjedhjet parlamentare, në të cilat, Partia Përparimtare Serbe (SNS) po ashtu pritet të dominojë. Njëkohësisht u mbajtën zgjedhjet lokale për disa komuna, përfshirë edhe për kryeqytetin serb, Beogradin.

Në zgjedhjet parlamentare serbe morën pjesë edhe partitë shqiptare, të cilat garuan me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë.

Serbët nga Kosova shkojnë në Serbi për të votuar

Ndërkaq, serbët në Kosovë, me shtetësi të dyfisht votuan në komunat brenda Serbisë, pasi Qeveria e Kosovës nuk lejoi që këto zgjedhje të mbahen brenda territorit të shtetit. Kosova tha se i kishte kërkuar Serbisë që t’i dërgonte kërkesë Qeverisë në Prishtinë për mbajtjen e zgjedhjeve, por Beogradi nuk pranoi.

Të dielën në mëngjes, më shumë se 25 autobusë u panë në stacionin e autobusëve në Mitrovicë të Veriut, për të transportuar serbët për të votuar në Rashkë.

Rashka është një nga komunat në Serbi, pranë kufirit me Kosovën, ku rreth 100,000 qytetarë serbë që jetojnë në Kosovë, do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Transport i organizuar është bërë edhe në Graçanicë, një komunë e banuar me shumicë serbe, që gjendet pranë Prishtinës.

Transporti i qytetarëve për në Serbi është bërë nën organizimin e komunave serbe, si ato që funksionojnë së sistemin e Kosovës, po ashtu ato në sistemin e Serbisë.

Shtetet e Quint-it kishin shprehur “zhgënjim të madh” me vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!