Pas publikimit të axhendës dhe marrëveshjeve që nënshkruhen sot në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ka ardhur edhe reagimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Këtë takim ai e ka quajtur si hipokrizi pasi sipas tij, përderisa Kosova ka vendosur taksë doganore 100 % për mallrat e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovincës, në anën tjetër me Shqipërinë po tenton të heqë barrikadat ekonomike. “Është kulmi i hipokrizisë, jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe për të gjithë ata që e lejojnë një gjë të tillë”, ka thënë Vuçiç.
Edhe Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin, tha sot se përfaqësuesit shqiptarë nuk e kanë braktisur kurrë projektin e një “Shqipërie të Madhe”. Kjo, sipas tij, nuk mund të arrihet pa dhunë dhe persekutimin e të gjithë popujve të tjerë nga Kosova. Vulin theksoi se “Shqipëria e Madhe” është një kërcënim për të gjithë rajonin./abcnews.al