Vuçiç: Jemi gati për dialog me palën kosovare, por pa flamur të bardhë

schedule17:54 - 11 Qershor, 2020

schedule 17:54 - 11 Qershor, 2020

Beogradi dëshiron të vazhdojë të balancojë lidhjet me Perëndimin, Kinën dhe Rusinë ndërsa kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe të arrijë një zgjidhje me Kosovën.

Kështu është shprehur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç për agjencinë e lajmeve Reuters, para zgjedhjeve parlamentare në Serbi.

Para se të anëtarësohej në BE, shkruan Reuters, Serbia duhet të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në 2008, pothuajse një dekadë pas një lufte brutale, pavarësi kjo e njohur nga mbi 100 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e anëtarëve të BE-së.

Por Serbia, që e sheh Kosovën si një “djep të pandashëm të identitetit të saj kombëtar”, ka bllokuar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, së bashku me aleatët e saj Rusinë dhe Kinën.

Dhe Vuçiç, Partia Progresive Serbe në pushtet e të cilit është pararendëse në zgjedhjet parlamentare më 21 qershor, tha se Serbia ishte e gatshme të bisedonte me Prishtinën “pa një afat kohor” dhe “me mirëbesim”, por që njohja e ndërsjellë nuk ishte në rendin e ditës.

“Ne jemi gati për bisedime por … pa flamur të bardhë”, ka thënë ai për Reuters në një intervistë. “Dialogu është i mirëpritur nëse është një dialog … në të cilin mund të shihet se çfarë është e mundur, çfarë është një kompromis”.

“Ne besojmë se është në interesin më të mirë të shqiptarëve (të Kosovës) dhe komunitetit ndërkombëtar… të flasim për një fluks të lirë të kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve”.

Bisedimet e sponsorizuara nga BE midis Serbisë dhe Kosovës, të cilat kanë një popullsi të konsiderueshme serbe që duan të qeverisen nga Beogradi, ngecën në vitin 2018 kur Kosova futi një taksë 100% të importit për mallrat nga Serbia, shkruan Reuters.

Heqja e barrierave tregtare nga qeveria e re e Kosovës këtë muaj hap rrugën për rifillimin e bisedimeve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!