Vuan nga sëmundja e rëndë, Lindoni i prekur nga reagimi i shqiptarëve: Fjalët e tyre më shëruan

schedule21:36 - 4 Qershor, 2022

schedule 21:36 - 4 Qershor, 2022

Lindoni është i prekur nga sëmundja e parkinsonit dhe nuk punon dot prej disa muajsh. Vajzën, Margaritën, e ka rritur i vetëm. Kur ishte 22 muajshe e ëma e ka braktisur të bijën. Me publikimin e rastit, shumë njerëz e kanë marrë në celularë Lindonin për t’i ofruar ndihmë.

Jemi rikthyer në Delvinë tek familja e Lindonit e të bijës, Margaritës. Rrëfimi i babait e 11 vjeçares të thyente zemrën. Kur Margarita ishte 22 muajshe, e ëma e braktisi. I vetëm, Lindoni e rriti të bijën, por pak muaj më parë, një sëmundje e rëndë e preku (parkinson) 53 vjeçarin.

Kemi ardhur kësaj herë në Delvinë, për të shoqëruar Lindonin drejt spitalit dhe për t’i bërë një surprizë Margaritës, një ëngjëll që kujdeset për çdo çast për të atin e sëmurë. Pak para nisjes drejt Tiranës, Lindoni na tregon se është mallëngjyer nga dhjetëra telefonata që ka marrë, fill pas publikimit të rastit të tij në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”.

Lindoni: Pashë emisionin, u preka shumë. Jam nga natyra emocional, prekem kur shikoj të tilla gjëra, jo më kur shikova veten time.

Nga Gjermania më kanë kontaktuar në telefon, emigrantë. Të them, 90% më shëruan ata me ato fjalë të mira që kanë thënë. Thonë që do të bëhem më mirë, se do ta kaloj sëmundjen, do t’ja hedh për veten e Margaritën.

Një autoambulancë merr Lindonin, ndërsa Margarita, si përherë nuk i ndahet të atit. Nisemi për në Tiranë.