Vritet Pjerin Xhuvani i PS në Elbasan, 3 të plagosur. Policia merr plumb në këmbë pas përplasjes për votat në Elbasan

schedule14:25 - 21 Prill, 2021

schedule 14:25 - 21 Prill, 2021

Një i vdekur dhe tre të plagosur është bilanci i një përplasjeje me armë në lagjen “5 Maji” në Elbasan. I vrarë mbeti aktivisti i Partisë Socialiste për Elbasanin, Pjerin Xhuvani ndërsa të plagosur kanë mbetur një efektive policie, Kelmend Xhaferri si edhe një tjetër person, ende i paidentifikuar.

Policja Xhensila Sota ka marrë një plumb në këmbë, ndërsa në gjendje të rëndë në spital ndodhet një tjetër person, i cili dyshohet se është dhëndri i viktimës Pjerin Xhuvani.

Lexo edhe: Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan: Vetëdorëzohet autori, ish-efektiv i RENEA-s

Nga të dhënat paraprake mësohet se përplasja me armë ka ndodhur për shkak të zgjedhjeve, ku dyshohet se një makinë e shtabit të PS-së është kapur nga mbështetësit e PD-së duke shpërndarë para në këmbim të votës.

Pas konstatimit të makinës është thirrur edhe policia, ndërsa shkëmbimi i zjarrit ka nisur fill pasi forcat “Shqiponja” mbërritën në vendin e ngjarjes.

Lexo edhe: Vrasja në Elbasan, kush është efektivja e forcave “Shqiponja” që u plagos

Pas përplasjes me armë është dorëzuar në polici ish-efektivi i RENEA-s Arbër Papleka, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj Xhuvanit gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Gjatë një komunikimi me gazetarët, kreu i listës së PD-së për Elbasanin, Gazmend Bardhi tha se policia nuk i kapi autorët e përplasjes me armë duke u marrë me gazetarët, ndërsa theksoi se personat e përfshirë në shkëmbimin e zjarrit ishin akuzuar edhe më herët nga demokratët si pjestar të krimit të organizuar në qytet.

Bardhi tha se në vendin ku u vra Xhuvani ishte një makinë e mbushur me karta identiteti dhe para që po përdorëshin për të blerë vota.

Fill pas ngjarjes në drejtim të Elbasanit janë nisur forca të shumta policie, përfshirë edhe Forcat Speciale RENEA.

Mësohet se krahas shërbimit në RENEA, Arbër Paplekaj ka qenë edhe me shërbim në Afganistan me Batalicionin e Forcave Speciale të ushtrisë.

Kush është Pjerin Xhuvani

Xhuvani u akuzua nga PD se ishte një ndër organizatorët e përplasjes fizike mes simpatizantëve të PS dhe PD Ditën e Verës në Elbasan.

Xhuvani është akuzuar edhe për laboratorin e drogës në Xibrakë të Elbasanit, ndërsa është njohur si activist i PS-së.

Ai ka qenë për disa vite kreu i LSI-së për Elbasanin duke drejtuar edhe Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, dhe është prangosur 6 vite më parë pasi akuzohej se i shkaktoi dëm rreth 56 milionë lekë shtetit. /abcnews.al