Vritet biznesmeni i bujtinave në Theth, Ferdinand Polia, teksa po lëvizte me makinën e tij në fshatin Grudë. Autori, që ishte me motor dhe me skafandër në kokë, e ka qëlluar disa herë me breshëri automatiku, duke e lënë të plagosur rëndë. 35-vjeçari ndërroi jetë sapo mbërriti në spitalin rajonal të Shkodrës. Ende nuk ka një motiv për krimin.
Biznesmeni Ferdinand Polia sapo kishte dalë nga një servis makinash në fshatin Grudë, kur një person që udhëtonte me motor dhe skafandër në kokë i zuri pritë. Autori në një distancë të afërt me makinën e ka qëlluar me breshëri automatiku 35-vjeçarin që njihet si “Nardi i Bujtinave”.
Trupin e tij e kanë përshkuar rreth 18 plumba. Atentatori u largua, ndërsa Polia mbeti i plagosur rëndë. Ai u dërgua në spitalin rajonal të Shkodrës, por me gjithë ndihmën e parë nuk mundi të mbijetojë.
Bashkë me të udhëtonte edhe shoku i tij, punonjës i servisit ku kishte rregulluar makinën viktima. Ai shpëtoi pa lëndime. Kjo për policinë do të thotë që kemi të bëjmë me një vrasës profesionist.
Ky i fundit e dogji dhe më pas e braktisi motorin ngjyrë gri tek Ura e Mesit në Shkodër. Krimi mbetet mister dhe policia ende nuk ka një pistë për ngjarjen. Viktima, kishte në pronësi bujtinën Polia në zonën turistike të Thethit. Gjithashtu 35-vjecari, ishte punonjës i administratës së Zonave të Mbrojtura në Parkun Kombëtar të Thethit.