Një shqiptar, të cilit iu ishte refuzuar kërkesa për azil në Suedi, është dënuar me 18 vjet heqje lirie në këtë shtet, për vrasjen e vajzës të së dashurës së tij me sëpatë. Gjatë gjyqit u zbulua gjithashtu se ai ishte shpallur fajtor vite më parë për një vrasje në Greqi.
Shqiptari Durim Lumi, 36 – vjeç, u shpall fajtor për vrasjen e një vajze të re në Värmland, në Maj.
Sipas mediave suedeze, Lumi akuzohet se e “ekzekutoi” të renë me një sëpatë, pasi pretendonte se ndihej i kërcënuar prej saj.
Por pretendimi i shqiptarit u hodh poshtë nga prokurori Per Svensson, i cili tha: “Është e qartë. Vrasja ka karakterin e një ekzekutimi të pastër”.
Svensson vuri gjithashtu në dukje se Lumi, i cili jetonte ilegalisht në Suedi në kohën e vrasjes, ishte shpallur fajtor për vrasje gjatë kohës që jetonte në Greqi.
Prokurori paraqiti dokumente para gjykatës që tregonin se shqiptari kishte vrarë një burrë me thikë.
![](http://tvklan.al/wp-content/uploads/2017/11/durim-lumi-policia-greke.jpg)
Durim Lumi, foto nga autoritetet greke
“Nuk kam asnjë arsye për të vënë në pikëpyetje të dhënat e autoriteteve greke. Është vrasje dhe sipas dokumenteve, dënimi ishte 15 deri në 16 vjet burg. Por sa vite ka qenë brenda, këtë unë nuk e di,” tha më tej Svensson.
Kjo nuk është hera e parë që Suedia tronditet nga një vrasje e kryer nga një azilkërkues, të cilit iu është refuzuar azili. Në 2015 -ën një azilkërkues nga Eritrea, vrau një nënë bashkë me djalin e saj në një supermarket pasi mori vesh për refuzimin e azilit./tvklan.al