Vrau gruan e kunatën në 2 janar, burg pa afat Gazmend Mustës

schedule12:29 - 5 Janar, 2019

schedule 12:29 - 5 Janar, 2019

Gjykata për Krimet e Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Gazment Mustën, 34 vjeçarin e akuzuar për vrajen e bashkëshorte dhe kunatës së tij mbrëmjen e 2 janarit në Ballsh. I akuzuari për krimin e dyfishtë brenda familjes shfaqi pendesë në gjyq dhe shprehu merak për dy fëmijët e tij të mitur 3 dhe 7 vjeç.

Gazment Musta, i akuzuari për vrasjen e bashkëshortes 31 vjeçare Gentiana Çaushaj dhe kunatës 18 vjeçe, Milisa Çaushaj, mbrëmjen e 2 janarit në Ballsh, u shfaq në gjendje të rënduar emocionale tek Krimet e Rënda.

Ai priti nisjen e senacës së caktimit të masës së sigurisë me sytë në dyshime dhe fytyrën ndër duar.

Pendesa e tij e shprehur në gjyq ishte rrethanë e papërfillshme krahasuar me krimin e dyfishtë për gjyqtaren Marsela Balili, e cila caktoi për të masën e sigurisë “arrest në burg”.

Sipas burimeve, 34 vjeçari pretendoi se ishte ofenduar nga bashkëshortja dhe se nuk kishte duruar më, ndërsa ka shprehur merak për dy fëmijët e tij të mitur.

Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda krimi i 2 janarit në banesën e familjes Musta në katin e pestë të një pallati në lagjen 5 Shkurti në Ballsh është paraprirë nga një debat i fortë mes bashkëshortëve. I akuzuari Musta ka qenë kundër kërkesës së bashkëshortes së tij për të shkuar tek prindërit e saj në fshatin Drizar të Mallakastrës. Pasi ka debatuar ashpër me to, rreth orës 16:30 ai ka kapur thikën e kuzhinës dhe ka qëlluar bashkëshorten e më pas edhe kunatën, duke u shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Në të njëjtën kohë në banesë kanë qenë edhe fëmijët e mitur të çifti 3 dhe 7 vjeç.

Pas ngjarjes 34 vjeçari ka telefonuar babain e tij, të cilit i ka rrëfyer krimin duke i thënë “t’ia bënte hallall” dhe se “do të  takoheshin në botën tjetër”.

Gazment Musta do të hetohet në masën e sigurisë “arrest në burg” teksa do të hetohet për akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” në dy raste, vepër penale për të cilën në rast fajësie parashikohet edhe dënimi me burgim të përjetshëm. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!