Vrasja për pazaret e drogës, gjykata dërgon letërporosi në Greqi

schedule12:03 - 3 Maj, 2018

schedule 12:03 - 3 Maj, 2018

Gjykata e Korçës pranon kërkesën e mbrojtjes së 25-vjeçarit David Myrte, të akuzuar për vrasje, për të pyetur në cilësinë e dëshmitarit një të  burgosur në Larisa të Greqisë. Për këtë qëllim, Gjykata e Korçës i ka dërguar një letërporosi autoriteteve të drejtësisë greke. Avokati i Myrtes pretendon se është pikërisht ky i burgosur që ka komunikuar në telefon me viktimën ditën e vrasjes dhe jo i akuzuari, David Myrte.

Kur procesi ndaj 25-vjeçarit David Myrte, i akuzuar për vrasjen e Zarif Alliut dhe plagosjen e shokut të tij, pas prishjes së pazareve të droges, po shkonte drejt fundit, Gjykata e Korçës ka vendosur të pyesë një tjetër dëshmitar të kërkuar nga mbrojtja.

Dëshmitari D.Papa, prej të cilit mbrojtja pretendon të nxjerrë informacione të vlefshme për ngjarjen, ndodhet i burgosur në Larisa të Greqisë dhe dëshmia e tij do të merret nëpërmjet letërporosisë.

Për të mundësuar kryerjen e procedurave përkatëse midis ministrive të Drejtësisë të dy vendeve, pas të cilave do të realizohet pyetja e dëshmitarit, gjykata ka shtyrë me dy muaj seancën e radhës.

Edhe pse emri i këtij dëshmitari nuk ka dalë gjatë hetimit të prokurorisë, mbrojtja thotë se ka qenë pikërisht Papa, ai që ka komunikuar me telefon me viktimën ditën e vrasjes dhe jo  i akuzuari David Myrte.

David Myrte në bashkëpunim me Spiro Xholin, vranë në Mars të vitit të kaluar, në fshatin Braçanj të Devollit, Zarif Alliun, të cilit i detyroheshin një borxh prej 12 mijë eurosh, për një ngarkesë droge të transportuar drejt Greqisë nga kufiri i gjelbër./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!