Vrasja në Memaliaj, pranga autorit/ Zbardhet krimi, i riu e vrau me thikë

schedule12:42 - 22 Gusht, 2024

schedule 12:42 - 22 Gusht, 2024

Tre ditë pas ngjarjes  policia ka arrestuar autorin e dyshuar të  vrasjes së  Faik Ajdinit i cili me 20 gusht u gjet pa jetë  nga familjarët në një përrua në fshatin Zhapokikë të Memaliajt.

Ai është Blerti Kanushi 23 vjeç.  Mbi të riun rëndon akuza e vrasjes me paramendim kryer në bashkëpunim.

“Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin Skënder Ajdini, më datë 19 gusht 2024, rreth orës 07:00 të mëngjesit, kanë kryer vrasjen me thikë të shtetasit Faik Ajdini dhe më pas Blerti Kanushi është larguar nga vendi i ngjarjes”, tha Drejtor i Policisë Gjirokastër Ardian Çipa.

Në   pranga është vënë gjithashtu  dhe  një  64 vjeçare. Darovi Ajdini  akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës dhe përkrahje të autorit të krimit.

“Për shkak të konflikteve për motive të dobëta ndërmjet viktimës, shtetasit Faik Ajdini, dhe bashkëshortëve Skënder dhe Darovi Ajdini, këta të fundit kanë nxitur shtetasin Blerti Kanushi, 23 vjeç, i kanë krijuar kushtet dhe i kanë siguruar mjetet, për kryerjen e vrasjes. Pas kryerjes së krimit, Skënder Ajdini me shtetasen Darovi Ajdini kanë kryer veprime aktive për pengimin e zbulimit të së vërtetës, duke bërë përpjekje për të zhdukur provat e krimit. Shtetasi Bledar Ajdini, në dijeni të plotë për krimin, ka përkrahur autorin e krimit, duke mos informuar institucionet ligjzbatuese për vendndodhjen e tij”, shtoi më tej ai.

Policia ka sekuestruar thikën më të cilën është  kryer krimi dhe mjete të tjera të përdorura nga të dyshuarit në këtë ngjarje.

Një ditë më parë  uniformat blu vunë në pranga dhe  71-vjeçarin Skënder Ajdini për veprat penale  “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” dhe djalin e tij  43 vjeç Bledar Ajdini për përkrahje të autorit të krimit.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!