Vrasja në Kamëz, Basha në familjen e Agim Bucit

schedule12:36 - 26 Prill, 2018

schedule 12:36 - 26 Prill, 2018

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte në Kamëz në familjen e Agim Bucit, që mbeti i vrarë mbrëmjen e së mërkurës gjatë një tentative grabitje në dyqanin e tij.

Ndërkohë, bashkëshortja e 52-vjeçarit, Merita Buci, mbeti e plagosur në këmbë dhe ndodhet në spital.

Basha ngushëlloi familjen Buci dhe tha se pasiguria në familjet shqiptare dhe biznesin e vogël ka marrë përmasa tronditëse

“Jam sot këtu t’i shpreh ngushëllimet e mia familjes Buci, për të ndarë me ta dhimbjen e madhe e tyrja, por që është edhe e të gjithë banorëve të Kamzës dhe të gjithë Shqipërisë”, u shpreh Basha.

Më tej, ai shtoi se, “Pasiguria e familjeve shqiptare, pasiguria e biznesit të vogël shqiptar ka marrë përmasa  tronditëse, ku në më pak se katër javë jo vetëm grabitjet janë bërë një lajm i përditshëm, por për fat të keq grabitjet janë shënuar me vrasje barbare siç ishte rasti i mbrëmshëm në Kamëz, siç ishte rasti në Fier para disa javësh. Për fat të keq kjo është dëshmi e dorëzimit total të shtetit të së drejtës, dështimit total të rendit publik dhe një apel i fortë për të lënë paradat, ngjyrat, fjalimet boshe dhe proceset fassadë sepse nuk mund të ketë polici në shërbim të qytetarëve kur kemi qeveri dhe ministra në shërbim të kriminelëve”.

Kryedemokrati Basha theksoi se do të jetë në mbështetje të familjarëve dhe se përqasja e Partisë Demokratike do të jetë toleranca zero ndaj krimit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!