Vrasja në ish- Bllok/ Policia identifikon autorët, arrestohen 2 të plagosurit

schedule15:02 - 5 Tetor, 2018

schedule 15:02 - 5 Tetor, 2018

Zbardhet ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmë në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku një person mbeti i vrarë. Policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim tre persona, si autorë të dyshuar të krimit. Dy te plagosurit në këtë ngjarje janë arrestuar në flagrancë.

Në këtë lokal 6 persona, kishin lënë takim për të sqaruar një ngacmim që i ishte bërë këngëtares Elvana Gjata pak ditë më parë në zonën e ish Bllokut në Tiranë.

Sipas grupit hetimor, Ervis Martinaj bashkë me dy miqtë e tij, Eljon Hato, dhe truproja që mbeti viktimë 28 vjeçari Fabiol Gaxha, debatuan fillimisht me shtetasit Ervin Mata 31 vjeç, Fabiol Alushi 42 vjec dhe Merviol Bilo 41 vjeç.

Tre të fundit janë shpallur në kërkim nga policia, ndërsa u prangosën në flagrancë Ervis Martinaj 36 vjeç dhe Eljon Hato, 28 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdes mjekësor në spital, por gjithashtu dhe nën masa të larta sigurie.

Në polici janë shoqëruar mbi 20 persona për t’u marrë në pyetje lidhur me rrethanat e krimit apo autorët e mundshëm.

Mes të shoqeruarve ka qëne edhe këngëtarja Elvana Gjata, e cila është marrë në pyetje dhe më pas u la e lirë.

Dyshohet se këngëtarja ka qenë shkak i një konflikti mes dy paleve disa ditë me parë, ndërsa të enjten ata jane takuar për t’u sqaruar për këtë konflikt. Por debati u agravua deri në përdorimin e armeve të zjarrit.

Viktima Fabiol Gaxha mbeti i parë i vrarë brenda ambienteve të lokalit.

Policia bëri të ditur se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar armë zjarri tip “Glock”, 11 gëzhoja, 10 mijë euro, tre automjete, aparate celularë.

Mësohet se grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit ku ndodhi vrasja, por edhe të zonës përreth tij, për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Grupi  hetimor i ngritur për këtë ngjarje të rënde në kryeqytet, drejtohet nga kreu i Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj dhe ka në përbërje edhe prokurorët Kreshnik Ajazi dhe Artan Lulo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!