Vrasja në Bastar të Mesëm, zbardhen dëshmitë e autorëve

schedule16:54 - 28 Janar, 2019

schedule 16:54 - 28 Janar, 2019

Zbardhet roli i autorëve të vrasjes së pasionit të ndodhur pak ditë më parë në periferi të Tiranës. Sipas akuzës, Arben Gjeçi u qëllua 3 herë me shufër hekuri pas koke nga Esat Cani, i cili dyshonte se motra e tij kishte një lidhje jashtëmartesore me viktimën.

Vrasja e Arben Gjeçit nga Bastar i Mesëm pak ditë më parë sipas prokurorisë së Tiranës ka si motiv kryesor një lidhje dashuri ndërmjet viktimës dhe një vajze të re nga fshati i tij i lindjes. Edhe pse fillimisht mohoi të kishte dijeni për ngjarjen, Elida Cani, personazhi kryesor në këtë histori pasioni pranoi të kishte një lidhje disa mujore me Gjeçin, baba i tre fëmijëve. Ajo shpjegon se nuk e pa autorin e vrasjes edhe pse për krimin prokuroria akuzon vëllain e Elidës, Esat Canin, i cili u ndihmua për të fshehur trupin edhe nga bashkëshorti i saj, Dëfrim Kurti.

Elide Cani: “Arbeni erdhi kur im shoq nuk ishte në shtëpi. Vendi ku takoheshim ne të dy është një dhomë e veçuar nga shtëpia. Pata merak se mos vinte burri dhe i thashë Arbenit, por ai më tha të rrija e qetë se burri po pinte kafe. Nuk pashë askënd se kush e qëlloi, sepse aty është një mur që s’të lejon të shikosh. Dola me vrap dhe e pashë të përpëlitej, hodha sytë ngado, por nuk pashë askënd. Arbeni gjendej aty në mes të pellgut me gjak. Jam e traumatizuar nga ngjarja që ka ndodhur. Mua më tha burri që të fshija gjakun dhe e fshiva. Në lidhje me ngjarjen unë shpjegimet do i jap vetëm në prani të avokatit”.

Dëshmi kyçe sipas organit të akuzës është edhe ajo e autorit të dyshuar të vrasjes, Esat Cani. Dyshimet për 31-vjeçarin lindën pasi ishte kthyer nga Greqia. Sipas deklarimit të Esatit, Aben Gjeçi kishte e linjën e trasportit me furgon nga Bastar i Mesëm në Tiranë dhe po ngacmonte me sy nga pasqyra si të fejuarën e tij e po kështu edhe motrën.

Esat Cani: “Ditën e ngjarjes dola nga banesa dhe i thashë babait që po iki për në punë, kur po kaloja te lokali, pashë furgonin e Arbenit, por jo atë. Në këtë moment shkova në shtëpi mora një shufër hekuri dhe ika të shtëpia e motrës dhe qëndrova pas kashtores. Nga ai pozicion pashë te dera ku depërtonte drita një lëvizje, pasi u hap dera doli Arben Gjeci. Nuk kam pasur qëllim që ta vrisja, por ta rrihja që të vuante ca kohë”.

Një ndër personat kryesor në këtë histori është edhe bashkëshorti i Elida Canit, Dëfrim Kurti. Sipas tij, lajmin e goditjes së Arben Gjeçit ia kishte thënë Elida, duke i kërkuar të shkonte sa më shpejt në banesë. 29-vjeçari Kurti theksoi se, ishte ai personi që kishte hartuar skenarin që Arbeni ishte plagosur në rrugë për të fshehur ngarjen, ku fillimisht u raprotuar në Spitalin e Traumës si akidentale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!