Është vetëdorëzuar në polici Albano Kusi, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasjen e teknikut të kondicionerit në Tiranë, Indrit Çelaj.
Albano Kusi akuzohet si bashkëpunëtorë i Griseldo Kusit, në vrasjen e teknikut të kondicionerëve, Indrit Çelaj.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 22 gusht të këtij viti, në vilën e Kusëve, ku viktima ishte punëtor.
Vrasja ndodhi pas një sherri banal për vendosjen e një kondicioneri, ndërsa krimi është munduar të fshihej.
Dy vëllezërit Kusi nuk u arrestuan por kanë zgjedhur të vetëdorëzohen. Albano Kusi u shpall në kërkim nën akuzën e “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Më herët në datë 12 nëntor është vetëdorëzuar po në të njëjtën mënyrë edhe vëllai i Albanos, Griseldo Kusi.
Gazetari Andi Qosja ka raportuar për abcnews.al, se Albano Kusi ditën e martë do të njihet me masën e sigurisë “arrest në burg”, e dhënë në mungesë ndaj tij, më datë 25 gusht, 3 ditë pas ekzekutimit të Indrit Çelës.
Persona të tjerë nën hetim për këtë ngjarje janë : Edmond Sula, Ferdinand Bakalli dhe Luan Caka të cilët akuzohen për “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Nga organet hetimore sipas gazetarit Andi Qosja, njoftohet se ende nuk është zbardhur se cili ka qenë personi që ka qëlluar mbi Indrit Çelen.
Ndërkohë policia ka njoftuar ditën e sotme për vetëdorëzimin në Drejtorinë e Policisë së Tiranës të Albano Kusit.
Njoftimi i policisë:
“Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në rrugën “Muhamed Gjollesha”, si rezultat i kontrolleve të pandërprera të ushtruara në ambientet të ndryshme e banesa, dhe përdorimit të metodave proaktive, si dhe pas negociatave me avokatin dhe familjarët, është bërë e mundur që në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë të vetë dorëzohet shtetasi në kërkim Albano Kusi
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës, bënë ekzekutimin e urdhërit të ndalimit të lëshuar nga Prokurori si dhe të vendimit të Gjykatës së Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë e cila ka vendosur masën e sigurisë Arrest në Burg, për shtetasin :
Albano Kusi, 28 vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në Tiranë,
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në datë 25.08.2019, ka dërguar urdhërin e për ekzekutimin e vendimit penal të datës 25.08.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest ne burg”, për shtetasin Albano Kusi për Veprat Penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” e kryer në bashkëpunim.
Shtetasi Albano Kusi, në datë 22.08.2019, rreth orës 11.00, në rrugën Muhamet Gjollesha, Tiranë, në ambientet e katit të parë të godinës tre katëshe në pronësi të shtetasit Bujar Kusi, ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, në lidhje me vrasjen me armë zjarri të shtetasit I. Ç.
Materialet në ngarkim të shtetasit Albano Kusi, i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Tiranë për veprat penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” e kryer në bashkëpunim”, njofton policia./abcnews.al