Disa ditë pas vrasjes së avokatit të njohur Ravik Gurra, Dhoma e Avokatisë në Elbasan ka vendosur të ndërpresë shërbimet deri të premten. Avokatët shprehen se ndihen teë pasigurtë për ushtrimin e profesionit të tyre. Gurra u ekzekutua me tre plumba pas koke të premten në mbrëmje në një lokal në qendër të Elbasanit.
Avokatët e Dhomës së Avokatisë në Elbasan ndërpresin shërbimet deri të premten. Vendimi u ndërmor pas ekzekutimit në qendër të qytetit të kolegut të tyre Ravik Gurra.
Avokatët u mblodhën në një nga ambientet e Gjykatës Elbasan, dhe pasi diskutuan vendosën ndërprerjen për 5 ditë të shërbimeve. Ata thonë se ndihen të pasigurtë në ushtrimin e profesionit të tyre.
“Nuk kërkohet më zbulimi i autorit, por sot kërkohet punë parandaluese”, u shpreh Hysen Kovaçi.
Sekretari i Dhomës së Avokatisë në Elbasan, Demir Çiftja u shpreh se vrasja e Ravik Gurrës ishte një rast i paprecedent në drejtësinë shqiptare.
Demir Çiftja, Sekretar i Dhomës së Avokatisë Elbasan: Ne si Dhomë Avokatie u mblodhëm sot sëbashku me të gjithë avokatët dhe vendosëm që të bojkotojmë çdo gjyq deri në një afat 5 ditor derisa të reagojnë organet kompetente, siç janë gjykata, policia e Shtetit dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Kemi lënë një mbledhje të dytë ditën e premte për të parë se ku është ecuria dhe çfarë vendimi do marrë Dhoma Avokatisë Elbasan sëbashku me Dhomën Kombëtare të Avokatisë.
Avokatët kanë nënvizuar faktin se akte të tilla kriminale nuk u regjistruan as në vitin 97. Ndaj kanë kërkuar marrjen e masave të menjëhershme. 50-vjeçari Ravik Gurra u vra me armë silenciator teksa po pinte kafe me dy miqtë e tij në një lokal shumë të frekuentuar të Elbasanit./abcnews.al