Vrasja e oficerit të krimeve në Lezhë, Çuçi: Do të shpallet Dëshmor i Atdheut

schedule20:06 - 28 Shtator, 2021

schedule 20:06 - 28 Shtator, 2021

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar mbrëmjen e së martës për vrasjen e oficerit të krimeve në Lezhë. Në një deklaratë për mediat, Çuçi u shpreh se grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon hetimet intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e gjithë detajeve të ngjarjes.

Po ashtu, ministri u shprehu ngushëllimet familjarëve, miqve dhe kolegëve të nënkomisarit Saimir Hoxha. Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut”, njoftoi Çuçi,  ka nisur procedurat për shpalljen e oficerit Hoxha, “Dëshmor i Atdheut”.

DEKLARATA

“Jam në ketë komunikim, në një orë të pazakontë, pasi siç jeni në dijeni, paraditen e sotme në Ishull Lezhë, ra në krye të detyrës oficeri i Policisë së Shtetit, Saimir Hoxha. Nënkomisar Saimir Hoxha ishte pjesë e grupit të kontrollit të territorit, për evidentimin dhe asgjësimin e lëndëve narkotike.

Autori i ngjarjes, Aldi Rama, një i ri i dënuar më herët në fushën e narkotikëve, u neutralizua pas disa orësh rrethim nga forcat speciale të policisë.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon hetimet intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e gjithë detajeve të kësaj ngjarje të rëndë, që ka prekur dhe shokuar mbarë opinionin publik.

Përfitoj nga kjo dalje publike, t’u shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të thella familjes së të ndjerit, miqve dhe kolegëve të tij.

Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” ka nisur procedurat për shpalljen e oficerit Saimir Hoxha, “Dëshmor i Atdheut” duke i garantuar familjes së tij të gjithë vëmendjen dhe mbështetjen e dhënë me ligj të posaçëm.

Po kështu me këtë rast, inkurajoj fort gjithë trupën e Policisë së Shtetit dhe i shpreh mbështetjen time të pakufishme, dhe në emër të qeverisë shqiptare, për të vijuar me vendosmëri betejën e përditshme me krimin, i çfarëdolloji qoftë ai.

Dua të shpreh vetëm respekt e mirënjohje për të rënin në krye të detyrës, me premtimin se nuk do të ndalim asnjë moment të vëmë para drejtësisë këdo që guxon të ngrejë dorën e krimit mbi Policinë. Ngjarje si kjo e sotmja, vërtet krijojnë dhimbje dhe indinjatë në zemrën e çdo shqiptari, por kurrsesi nuk na zmbrapsin apo dekurajojnë në luftën kundër paligjshmërisë. As mua si Ministër i Brendshëm dhe as trupën e Policisë së Shtetit.” 

Saimir Hoxha është viktima e 225-të në radhët e policisë. Ai u vra me një plumb në zemër rreth orës 10:30 të paradites, në Vain, në Ishull-Lezhë. Së bashku me 4 kolegë, oficeri i krimeve po patrollonte në këtë zonë për kanabis. /abcnews.al/