Një shqiptar, i cili akuzohet për vrasjen e 22-vjeçarit italian me origjinë rome, Manuel Spinelli, si dhe për armëmbajtje pa leje ka përfituar gjykim të shkurtuar.
Fitim Kaldoshi, 27-vjeç, kërkoi me anë të avokates gjatë seancës së zhvilluar të mërkurën që të gjykohej me proces alternativ. Kjo kërkesë u pranua nga trupa gjykuese dhe seanca e radhës për Kaldoshin do të mbahet me 18 Korrik.
Por sipas mediave italiane, ka patur disa momente tensioni gjatë seancës. Familjarët e Spinelli-t, mamaja, babai dhe e fejuara e tij kanë hedhur fjalë të rënda në drejtim të shqiptarit. Në një çast, babai i viktimës ka tentuar që të godasë me shkelm 27-vjeçarin Kaldoshi. Ka qenë trupa gjykuese, që vendosi largimin e tyre nga salla.
Por si ndodhi vrasja e Mannuel Spinelli-t?
Spinelli sapo kishte dalë me disa miq nga një darkë në Teramo, ku ishte ndeshur papritur me Fitim Kaldoshin. Ky i fundit ishte duke kaluar me makinë me të dashurën e tij, ish e fejuara e Spinelli-t. Sipas asaj që u zbulua nga hetimet, 27-vjeçari Kaldoshi ka kaluar afër grupit të Spinelli-t dhe aty, palët shkëmbyen fjalë ofenduese me njëri-tjetrin.
Në një moment, Kaldoshi del nga makina dhe nis një konfrontim fizik më Spinelli-n, duke e goditur dy herë me thikë, në fytyrë dhe në zemër. Ngjarja ndodhi Qershorin e vitit të shkuar, ndërsa Koldashi e pranoi që kishte përdorur thikë, të cilën e mbante me vete gjithmone, por në atë rast për t’u vetëmbrojtur. /abcnews.al