Vrasja e Emiljano Boçit, jep dëshminë Melvi Disha

schedule16:21 - 16 Janar, 2018

schedule 16:21 - 16 Janar, 2018

Vijon të mbetet pa autor vrasja e tipit mafioz të Emiljano Boçit e ndodhur dy ditë më parë kryeqyetet. Flet për herë të parë për oficerët e policisë gjyqësore Melvi Disha, miku i Boçit, i cili mbeti i plagosur gjithashtu nga atentatit.

Vrasja e tipit mafioz të Emiljano Boçit dhe plagosja e mikut të tij, Melvi Dishës, e ndodhur mbrëmjen e së dielës vijon të mbetet pa autor. Ekzekutori i ndihmuar edhe nga një person tjetër ishin fiksuar nga kamerat e sigurisë pak çaste pas krimit, duke vrapuar në zonën e “Vasil Shantos”. Sipas policisë, ata kishin hipur në dy automjete të ndryshme, ku kamerat e sigurisë nuk kishin mundur të fiksonin targat e tyre.

Dy dëshmitarët kyç të atentatit, ku mbeti i vrarë Boçi, janë e dashura e 32-vjeçarit, e cila ishte në makinë në momentin e ekzekutimit të tij dhe Melvi Disha, që mbeti i palgosur në shpatull.
Ky i fundit, sipas mjekëve të spitalit të Traumës, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai ka treguar për hetuesit se nuk ka parë asgjë mbrëmjen e atentatit, pasi ishte trembur nga të shtënat e armëve.

Disha tha se nuk kishte parë ndonjë gjë të dyshimtë në momentin që kishte hipur në automjetin luksoz me targa gjermane në pronësi të viktimës Boçi. Pavarësisht dëshmisë së shkurtër të dhënë para oficerëve të policisë gjyqësore, këta të fundit nuk kanë arritur të krijojnë një identitet të qartë të vrasësit që dyshohet të ketë qenë me pagesë. Më herët në deklarimin e saj, e dashura e viktimës Boçi kishte pohuar se, atentatori ishte afruar nga pas automjetit dhe kishte qëlluar pesë herë në drejtim të ndenjëses së shoferit, ku mbeti i vdekur në vend 32-vjecari, i cili kishte pak kohë që ishte kthyer nga Gjermania.

Pista kryesore që po heton policia e kryeqytet është ajo e prishjes së pazareve të drogës. Një tjetër version që po hetojnë uniformat blu është hakmarrja. Emiljano Boçi ka qenë një person i njohur për policinë e kryeqytetit. Në vitin 2010 në zonën e Selitës, 32-vjecari kishte kryer një plagosje me armë zjarri, ku mbeti edhe vetë i lënduar nga plumbat e kundërsharit të tij, Artur Treska. Emiljano Boçi u dënua me dy vite burg vetëm për tentativë vrasje dhe pas fitimit të lirisë jetonte në Gjermani dhe Holandë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!