Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me burgim të përjetshëm Denis Shtrazën. Ai u shpall fajtor për rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e Gazmend Collakut në janar 2016 në Durres. “ABC News” zbardh argumentet e gjykatës për vlerësimin e fajshëm të Shtrazës.
Gjykata për Krimet e Rënda vendosi të mbyllë përjetë në qeli Denis Shtrazën.
Një pesëshe gjyqtarësh të kryesuar nga gjyqtari Ardit Mustafaj vlerësuan ai është një nga autorët e rrëmbimit me pasojë vdekjen e Gazmend Çollakut në 6 janar 2016 në Durrës. Çollaku u rrëmbye nga të paktën katër persona në parkingun e një lokali pranë Portit të Durrësit. Ai u gjet të nesërmen i pajetë me një plagë plumbi në kokë dhe gjymtyrë të lidhura, i hedhur në anë të një rruge në zonën e Fushë-Krujës.
Për të njëjtën ngjarje u akuzua edhe ish-oficeri i policisë, Ervin Dalipaj, i cili u ekzekutua në një atentat mafioz në prill 2017 pranë Sukthit, ndërkohë që ishte në kërkim nga drejtsia.
Gjyqtarët e krimeve thanë se njollat e gjakut të konstatuara në mjetin “Mercedes Benz ML”, në të cilin kanë udhëtuar Ervin Dalipaj dhe Denis Shtraza 3-4 orë pas ngjarjes, janë të viktimës Çollaku.
Gjykata vlersonte se viktima nuk kishte njohje me Dalipajn dhe se nuk kishte pasur kontakt me mjetin e tij. Në mungesë të një kontakti të mëparshëm të viktimës me këtë automjet, arsyetoi gjykata, njollat e gjakut në mjet janë bërë ose nga një kontakti fizik direkt, ose nga mjetet me të cilat është goditur, qëlluar, lidhur apo mbështjellë Çollaku.
Sipas gjykatës, Gazmend Çollaku është rrëmbyer nga një automjet tjetër me portobagazh dhe se mjeti “Benz” është përdorur pas këtij momenti. Në vendim gjykata urdhëroi konfiskimin e këtij mjeti.
Verdikti final i shpallur në seancën e 49 të këtij procesi, u prit me qetësi nga i pandehuri Shtraza. Në nisje të seancës, gjatë konkluzioneve të mbrojtes, ai këmbënguli në pretendimin për pafajësi dhe në faktin se nuk kishte lidhje me ngjarjen. /abcnews.al