Vrasja e Artan Cukut, zbulohet emri i porositësit

schedule15:09 - 24 Prill, 2018

schedule 15:09 - 24 Prill, 2018

Prokuroria për Krimet e Rënda ka identifikuar të dyshuarin si porositësin e vrasjes së ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku. Sipas hetuesve, ai është Bledar Jambelli, për të cilin është lëshuar një urdhër arresti nga Gjykata për Krimet e Rënda.

Prokuroria për Krimet e Rënda ka një person të dyshuar si porositësin e vrasjes së ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, mbrëmjen e 8 prillit 2017 në Tiranë.

Bëhet fjalë për Bledar Jambelli, nga Fieri, person i skeduar më herët nga drejtësia.  Jambelli dyshohet të  jetë personi që ka kontraktuar Mikel Shallarin, aktualisht i arrestuar, për të vrarë komisarin Cuku.

I dyshuari si porositës është shpallur në kërkim, bazuar në një vendim të Gjykatës për Krimet e Rënda, e cila ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë për të.

Kërkimet e deritanishme policore kanë rezultuar të pasuksesshme, ndersa mendohet se ai mund të jetë larguar jashtë vendit.

Burime të rezervuara nga grupi i hetimit bënë me dije se vrasja e komisarit ka ndodhur për shkak të detyrës së tij në Policinë e Shtetit.

Cuku ka qenë në krye të Policisë së Vlorës në vitin 2012, kur ka arrestuar Bledar Jambellin, si të dyshuar për një vrasje të ndodhur në qytetin bregdetar, që dyshohet të ishte pjesë e një zinxhiri vrasjesh. Përpos dyshimeve ai mundi të fitojë lirinë, por duket se ka lënë të hapur konfliktin me Cukun.

Prokuroria për Krimet e Rënda ka ngritur dyshime se ekzekutori i tij është Mikel Shallari, i cili po hetohet në masën e sigurisë “arrest në burg”. Ai u identifikua nga ADN-ja e gjetur në rrobat e përdorura prej tij në vrasje, ndërsa pas arrestimit ai pranoi të bashkëpunojë me prokurorinë. Organi i akuzës është në prag të mbylljes së hetimeve për këtë dosje. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!