Vrasja e Alkisit, lëshohet urdhër arresti ndërkombëtar për 20-vjeçarin në Shqipëri, policia nis kërkimet

schedule09:36 - 9 Shkurt, 2022

schedule 09:36 - 9 Shkurt, 2022

Ashtu siç pritej, është lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar për shqiptarin Roxhers Demirazi, i cili është shpallur në kërkim si i përfshirë në vrasjen e Alkis Kampanos në Selanik.

Sipas informacioneve, urdhër-arresti ndërkombëtar për 20-vjeçarin shqiptar që dyshohet se fshihet në vendin tonë, pas vrasjes brutalisht të Alkis Kampanos në Selanik nga një grup tifozësh, tashmë ka mbërritur në Ministrinë e Brendshme në Shqipëri.

Raportohet se ka qenë ministria e Brendshme shqiptare që ka konfirmuar mbërritjen e urdhrit dhe tashmë ka nisur procesi hetimor për gjetjen dhe arrestimin e tij. Në fakt, hetimet kanë nisur nga pikat kufitare por për momentin nuk ka asnjë informacion se ku mund të ndodhet i kërkuari.

Ndërkohë që sot nisin seancat për 8 të arrestuar në gjykatën greke. Tre prej tyre sot do të kalojnë nëpër derën e hetuesve, ndërsa procesi gjyqësor do të vazhdojë nesër (e enjte) dhe pritet të përfundojë të premten. 8 personat janë arrestuar të dielën pasi akuzohen si të përfshirë në vrasjen e Alkisit.

Në 24 orët e mëparshme një tjetër person është dorëzuar pranë organeve të akuzës, i cili ishte identifikuar si i përfshirë në vrasje dhe pritet të dalë para gjykatës.

Të gjithë të mësipërmit ndiqen penalisht për vrasje të përbashkët. Mes tyre janë tetë grekë dhe një shqiptar, 20 deri në 25 vjeç. /abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!