Vrasja e administratorit në Kotë, lihen në burg 3 të arrestuarit

schedule10:55 - 15 Qershor, 2019

schedule 10:55 - 15 Qershor, 2019

Gjykata e Vlorës vendosi arrest me burg për tre autorët e ndaluar për vrasjen e kreut të njësisë administrative Kotë Argjil Gjoka. Ata kanë mohuar para trupit gjykues që të jenë përfshirë në krim. Ndërsa është shpallur në kërkim Mersin Bejtaj, personi që dyshohet se qëlloi me armë ndaj administratorit Gjoka.

Arif, Jace dhe Namik Bejtaj u paraqitën në gjykatën e Vlorës për masë sigurie. Të tre akuzohen si të përfshirë në vrasjen e kreut të Njësisë Administrative Kotë Argjil Gjoka.

Seanca gjyqësore u drejtua nga Hektor Sinanaj, ndërsa prokuror i çështjes ishte Klodian Llaho.

“Ne shkuam me vonesë në vendin e ngjarjes” – thanë para trupit gjykues Namik dhe Jaçe Bejtaj.

Ndërsa 19 vjeçari Arif Bejtaj deklaroi se ka ndërhyrë në momentin e përleshjes duke marrë edhe një plumb në krah.

Në kërkim për ngjarjen është shpallur edhe Mersin Bejtaj i cili dyshohet se është personi që ka qëlluar në drejtim të administratorit të Kotës.

Trupi gjykues pasi dëgjoi prokurorinë, palën mbrojtëse, si edhe deklaratat e te arrestuarve vendosi t’i lërë në qeli të tre deri në përfundim të hetimeve për ngjarjen e rëndë.

Konflikti ndodhi katër ditë më parë për hapjen e një rruge në fshatin Mavrovë.

Pjestarët e familjes Bejtaj debatuan ashpër me punëtorët e rrugës, ngjarja e cila përfundoi me një të vrarë.

Argjil Gjoka ndërhyri për të qetësuar situatën, por mori një plumb në kraharor i cili i shkaktoi edhe vdekjen.

ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!