Kryeministri Edi Rama u ka shprehur ngushëllimet e tij familjarëve dhe të afërmve të tetëvjeçarit Mateo Vasiu, i cili u rrëmbye dhe u vra nga fqinji i tij Klodian Çallamani. Nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” ku ka mbledhur gazetarët mëngjesin e së mërkurës përpara se të niset për një vizitë zyrtare në Itali, Edi Rama u shpreh se është i vetëdijshëm se fjalët në raste si ky “janë të pafuqishme.
Kreu i qeverisë tha se sa i takon drejtësisë, në këtë rast duhet të jetë sa më e shpejtë dhe në lartësinë e nevojës ndërsa shtoi se për të duhet marrë vendimi më ekstrem i parashikuar nga ligjet e vendit.
“Të gjithë rrjedhën e ngjarjes dhe profilin e autorit mbetet shija e tmerrshme e asaj që ka ndodhur. Domosdoshmëria për të reaguar menjëherë në nivelin e drejtësisë, për të vënë pikën e drejtësisë në këtë episod kaq tronditës. Vllazërisht u shpreh ngushëllimet prindërve, familjes, të afërmeve. I vetëdijshëm që fjalët në një rast si ky janë të pafuqishme. Sidoqoftë fjalët mbeten, pjesa tjetër i takon drejtësisë që në këtë rast duhet të jetë domosdoshmërisht e shpejtë dhe domosdoshmërisht në lartësinë e nevojës së të gjithë opinionit publik për një reagim me vendimin më ekstrem të parashikuar nga ligji i Shqipërisë.”
Po ashtu, Rama tregoi se përse ditën e djeshme, kur një numër shumë i madh qytetarësh reaguan të tronditur, nga ai vetë nuk pati asnjë reagim.
“E pata të pamundur të shkruaj një tekst mbi këtë ngjarje dhe kjo është arsyeja që mu duk më udhës ta bëj sot…” /abcnews.al/