Berisha u paraqit në SPAK këtë të hënë për masën e detyrimit për t’u paraqitur për procesin e dosjes ‘Partizani’. Ndërsa kujtoi dëshmitarët e kërkuar për procesin kundër tij Berisha tha se në dosje ka disa firma të kryeministrit Edi Rama.
“Për Sali Berishën në atë dosje gjithçka është e thurur mbi mashtrimin, falsifikimin, manipulimin e dokumenteve siç ju kam thënë, aty vendime gjykatash sanksionojnë fajësinë e Edi Ramës. Edi Rama ka aty një mori firmash në atë dosje vetë.” u shpreh Berisha.
Nga ana tjetër Berisha pretendoi se nuk ka firmosur dokumente gjatë gjithë procesit të njohjes, kthimit dhe parablerjes së pronës, përveç një firme të vetme.
“Sali Berisha nuk ka asnjë firmë në të tërë procesin e njohjes, kthimit dhe parablerjes. Ka një firmë mbi firmën e Edi Ramës, të vetmen firmë.” tha ai
Në seancën e fundit gjyqësore për dosjen Partizani mbrojtja ka paraqitur një listë prej 140 dëshmitarësh të kërkuar për t’u dëgjuar nga trupa gjykuese.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.


