“Dvorani, kampion i korrupsionit”, Berisha: Nesër në Kuvend, votojmë kundër kandidatit të Ramës

schedule12:40 - 3 Qershor, 2022

schedule 12:40 - 3 Qershor, 2022

Nesër, në raundin e katërt të zgjedhjes së pasuesit të Ilir Metës Partia Demokratike do të jetë e pranishme në Kuvend, por do të votojë kundër. Lajmin e bëri të ditur kryetari Sali Berisha, i pyetur nga gazetari Juxhin Mustafaraj, në konferencën e përjavshme për mediat.

Ndërsa kujtoi se konventa e miratuar në Kuvendin Kombëtar të 30 prillit, ia ndalon partisë bojkotin, Berisha tha se prezente do PD do të jetë, por jo për të votuar kandidatët e mazhorancës.

Lideri historik i demokratëve përsëriti edhe një herë se opozita nuk ia njeh legjitimitetin qeverisë Rama pasi, sipas tij, pushtetin e mori përmes asaj që është cilësuar si “masakra zgjedhore e 25 prillit.” Rrugëzgjidhja e vetme sipas tij, do të ishte një president i propozuar nga opozita.

Berisha nuk nguroi ta cilësonte një “opozitë kukull”, pjesën e PD-së që mbështet Enkelejd Alibeajn që u bë pjesë sipas tij, e një “loje të neveritshme”.

“Ne nuk i njohim të drejtë legjitime Edi Ramës, për të propozuar presidentin e Republikës duke pasur parasysh masakrën zgjedhore. Me armatën e patronazhistëve, me përdorimin e Dumanëve dhe bandave dhe sasive kolosale të krimit në të katër anët e vendit. Rrugëzgjidhja e vetme do të ishte një president i propozuar nga opozita.

Në vend të kësaj praktike, Rama, zgjodhi lojën me kukulla dhe pseudo opozitë, një lojë që mund të quhet si një shpifësirë politike e neveritshme. I kaloi raundet me gjasme, ja po pres nga opozita. Manipuloi dhe tani mbledh kryesinë për t’u komunikuar presidentin dhe për të marrë 100 për qind të pushtetit në vend. Njëlloj si Lukashenko, ai do të quhet nesër Aleksandër Lukashenko Bis. Me marrjen e Presidencës ai shkon në pushtet absolut.  Detyrë urgjente e opozitës së vëvrtetë që t’i japin Edi Ramës përgjigjen më të merituar.”

Berisha u pyet po ashtu se cili do të ishte reagimi i tij nëse si kandidat për President mazhoranca do të sillte Ardian Dvoranin që është vlerësuar “Kampion i Drejtësisë” nga SHBA-të. Në përgjigjen e tij, Berisha tha se Presidenti që do të zgjidhet është i Shqipërisë dhe jo i ndonjë shteti të SHBA-ve.

“Presidenti nuk zgjidhet për ndonjë shtet të SHBA-ve, apo për shtet tjetër. Zgjidhet për Shqipërinë, nëse ka një gjykatës që simbolizon konfliktin e interesit, më shumë se kushdo tjetër që njoh unë në drejtësi është Dvorani i partisë… Kampion i korrupsionit.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!