Votimi në Kuvend, rrëzohen listat e kandidatëve për KLGJ e KLP

schedule21:10 - 25 Janar, 2018

schedule 21:10 - 25 Janar, 2018

Janë rrëzuar në Kuvend, dy listat për kandidatët jo gjyqtarë e jo prokurorë për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit e Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Dy listat e hedhura me short me gogla në nënkomisionin Ad Hoc për shkak të kundërshtive të opozitës, nuk kanë marrë dot 94 votat e kërkuara sipas kushtetutës.

Lista e KLGJ ka marrë 69 vota pro të mazhorancës, ndërsa ajo e KLP 72 vota. Të dyja kanë marrë 26 vota kundër të opozitës. Ky rrëzim i kthen listat në nënkomisionin Ad Hoc, që duhet të përsërisë procesin e përgjedhjes së kandidatëve jo gjyqtarë e jo prokurorë për këto dy organe.

Por opozita ka bashkuar votat me mazhorancën për caktimin e 5 shtatorit, data e shënjterimit të Nënë Terezës si festë zyrtare, me 98 vota unanime pro.
96 vota të mazhorancës e opozitës ka marrë edhe projektligji për “Për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së grantit të BERZH për projektin
e detajuar të linjës hekurudhore Durrës – Tiranë dhe vlerësimin financiar/ekonomik i të gjithë rrjetit hekurudhor në Shqipëri.

Vetëm me 73 vota të mazhorancës u miratuan ndryshimet në ligjin për funksionimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!