Në Voskopojë, turistët nuk mungojnë në asnjë stinë, por këtë vit sezoni turistik i verës ka nisur më herët. Administratori Luan Fidani thotë se në këtë vend problemi i ujit të pijshëm dhe i energjisë elektrike janë zgjidhur përfundimisht.
Më besnikët jo vetëm fundjavavë, por edhe në ditë të zakonshme shijojnë në ajrin e pishave këtu në Voskopojë.
Problemi i ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike është zgjidhur në mënyrë përfundimtare, çfare pritet të ndikojë në kohën e qëndrimit të turistëve.
Sezoni i verës ka nisur për Voskopojën dhe banorët e saj. Shumica e tyre janë fermerë, por turizmi ju garanton punësim familjar dhe më shumë të ardhura se ekonomitë bujqësore dhe blegtorale, të cilat gjithashtu janë në funksion të këtij biznesi.
Gjatë muajve të fundit, Voskopojës i janë shtuar mbi 20 njësi akomoduese, të cilat ju bashkohen rreth 300 të tillave ekzistuese.
Frekuentimi i pandërprerë nga turistët dhe vizitorët, të cilët nuk mungojnë në asnjë stinë, ka rritur trendin, që banorët t’i kthejnë shtëpitë në hotele dhe bujtina. Nga investimi, deri tek menaxhimi, gjithçka bëhet nga vetë voskopojarët.
Sezoni i ri turistik e gjen Voskopojën të ndryshuar, sidomos në qendër. Një minikullë dhe një portë prej betoni, kontrastojnë thekshëm me gjithçka që mbeti e paprekur ndër shekuj. /abcnews.al