Sondazh

Mali i Zi një hap drejt BE. Mendoni që do ta pasojë edhe Shqipëria?

Loading ... Loading ...
 

Von der Leyen: Kriza energjetike, pasoja afatgjata

schedule16:25 - 29 Prill, 2026

schedule 16:25 - 29 Prill, 2026

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi për pasojat afatgjata të krizës së re energjetike, duke theksuar nevojën urgjente për masa që do t’i japin Evropës pavarësi në këtë drejtim.

Në fjalën e saj në Strasburg, Von der Leyen u ndal te rreziqet që burojnë nga varësia ndaj importeve të karburanteve fosile, në një kohë kur tensionet ndërkombëtare kërcënojnë stabilitetin global të energjisë.

“Pasojat e këtij konflikti mund të zgjasin për muaj apo edhe vite. Kjo është arsyeja pse energjia ishte në krye të agjendës së Këshillit Evropian. Kjo është kriza e dytë energjetike brenda katër viteve. Mësimi duhet të jetë shumë i qartë: varësia e tepruar nga importet e karburanteve fosile na bën të cenueshëm”.



Presidentja e Komisionit nënvizoi se zgjidhja qëndron në transformimin e sistemit energjetik evropian, duke investuar në burime të brendshme dhe të qëndrueshme.

“Rruga përpara është e qartë. Duhet të reduktojmë varësinë nga importet e karburanteve fosile dhe të rrisim prodhimin tonë të energjisë së pastër dhe të përballueshme – nga burimet e rinovueshme deri te energjia bërthamore, duke respektuar neutralitetin teknologjik”.

Von der Leyen bëri të ditur se në buxhetin aktual të Bashkimit Evropian janë parashikuar rreth 300 miliardë euro për energjinë, nga të cilat 95 miliardë ende nuk janë përdorur, duke u bërë thirrje shteteve anëtare që këto fonde të orientohen drejt transportit, industrisë dhe ngrohjes. Ekspertët paralajmërojnë se vendet që varen më shumë nga nafta dhe gazi do të përballen me rritje të forta të çmimeve, duke shkaktuar një krizë globale.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!