Voda: Shtypi britanik duhet të bëjë një analizë më të hollësishme

schedule21:43 - 29 Janar, 2019

schedule 21:43 - 29 Janar, 2019

Disa ditë më parë një nga mediat më të rëndësishme në Britaninë e Madhe, The Independent, publikoi një artikull në të cilën Shqipëria konsiderohej si një nga qendrat e trafikut të drogërave të forta dhe të lehta. Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, ishte e ftuar në emisionin “Provokacija” dhe u tregua kritike ndaj këtij shkrimi.

Ajo theksoi se gjatë një takimi që kishte pasur në Britani, vetë agjencitë ligjzbatuese ia kishin pohuar se ishin vetë britanikët përsa i përket statistikave që janë të parët në aktivitete kriminale.

“Unë kam pasur në fund Shtatori në fillimi Tetori një vizitë në Home Office në Britani. Në fakt unë jam koordinatore kombëtar në luftën kundër qënieve njerëzore, por atje pata një takim dhe me përfaqësues të agjencive të tjera. Dhe një nga agjencitë tepër të njohura është dhe NCA, Agjencia Kombëtare e Krimit dhe në fakt nga bisedat që patëm aty, sigurisht që ishin të mbyllura, ata pranuan që ata flasin për trafikim të qenieve njerëzore, flasin për shqiptarë trafikantë, por jemi ne britanikët. Pra ne britanikët jemi të parët edhe përsa i përket përqindjeve në trafikimin e qenieve njerëzore, po edhe përsa i përket në aktivitete të tjera kriminale. Kjo gjë në fakt nuk thuhet me zë të lartë dhe shpeshherë vihet gishti në të ardhurit apo po themi migrantët siç janë shqiptarët dhe bëhet shumë e dëgjuar. Ndërkohë që ata e pranon vetë që shiko se jemi ne, jemi britanikët”, tha Voda.

Shpeshherë mediat angleze kanë shkruar gjithashtu se grupet kriminale shqiptare kontrollojnë aktivitetet e paligjshme në Londër dhe në qytete të tjera. Por për Vodën, shtypi britanik nuk merr parasysh se bandat nuk veprojnë si entitete të izoluara dhe se shpesh i referohen vetëm si grupe kriminale shqipfolëse, ç’ka do të thotë që nuk mund të mos jenë nga Republika e Shqipërisë.

“Duhet edhe një gjë që patjetër shtypi britanik duhet ta ketë në konsideratë. Bandat asnjëherë nuk veprojnë si entitete të izoluara dhe sa herë ka pasur goditje të grupeve kriminale me shtrirje ndërkombëtare nuk ka pasur shqiptarë, por po të dëgjosh statistikat thuhet 3 shqiptarë, dy grekë, pesë italianë, dy shqiptarë. Krimi në fakt merret vesh mirë me njëri-tjetrin. Shtypi britanik bën mirë që të bëjë një analizë më të hollësishme dhe mos të kalojë në këto deklarata që hedhin baltë vetëm në një etni të caktuar. Po them etni sepse shpeshherë flitet për shqiptarë sepse ndoshta ndonjëherë nuk janë shtetas të Republikës së Shqipërisë. Kemi edhe profile të grupeve kriminale që ata i quajnë shqipfolëse. Ato mund të jenë nga vende të tjera, por që flasin shqip siç është Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi. Unë mendoj që është një ndërmarrje dhe pak e guximshme e një gazete, sigurisht gazetarët kanë të drejtë të shkruajnë, të shprehin mendimet e tyre bazuar edhe në disa statistika, por që të dalësh në një lloj panorame dhe të thuash kjo është gjendja është e vështirë sepse kërkon një analizë të thellë dhe unë e them edhe njëherë që krimi nuk është i izoluar por kriminelët merren vesh shumë mirë dhe bashkëpunojnë bashkë”, tha Voda./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!