Vlorë, vritet me armë gjahu kryetari i fshatit Kotë

schedule16:31 - 9 Nëntor, 2018

schedule 16:31 - 9 Nëntor, 2018

Vritet me çifte Kryetari i Njësisë Administrative Kotë në Vlorë. Sipas policisë autori ka qenë duke konsumuar alkool me viktimën në një lokal të fshatit para se të ndodhte krimi. 44 vjeçari është arrestuar në banesën e tij.

Kryetari i Njësisë Administrative Kotë pas një konflikti që pati me personin me të cilin po konsumonte alkool në një lokal përfundoi i vrarë me çifte.

Viktima ishte ulur në të njëjtën tavolinë me autorin. Policia njoftoi se krimi ndodhi rreth orës 14:55 në lokalin e fshatit. Fillimisht Fatmir Hodo ka debatuar me Admir Delaj. Më pas ky i fundit është larguar për t’u rikthyer i armatosur me synimin për të vrarë 64 vjeçarin. Pasi e ka qëlluar disa herë kryetarin e njësisë administrative Kote ka braktisur lokalin dhe është nisur me automjetin  e tij drejt banesës.

Forcat e Policisë u vunë në kërkim të autorit ku pas afro një orë ndjekje, u bë i mundur arrestimi i  44 vjeçarit.

Delaj ka deklaruar në momentin e ndalimit se ishte grindur me Hodon prandaj e qëlloi me armë.

Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e krimit, automjetin dhe një armë tjetër gjahu e cila nuk ka lidhje me ngjarjen, por rezulton pa leje.

Viktima njihej nga banorët e fshatit Kote si një njeri i qetë.

Banor 1: Nuk e di cila është arsyeja, kur e mora vesh u tronditëm njeri me respekt, autorin nuk e njoh.

Banor 2: Shumë i mirë, i komunikuar me shoqërinë, me punën, shumë njeri i mirë ishte.

Nga hetimet dyshohet se ngjarja ka ndodhur nga një konflikt i çastit. Autori dhe viktima kishin konsumuar alkool disa minuta para se të ndodhte vrasja./abcnews.al

Gazetar ABC News: Elton Nika

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!