Vlorë, gjendet gomonia me drogë në grykëderdhjen e Vjosës

schedule11:16 - 22 Janar, 2019

schedule 11:16 - 22 Janar, 2019

Policia kufitare e Vlorës në bashkëpunim me Guardia Di Finanza kanë arritur të ndalojnë në det një gomone që po transportonte mbi 500 kilogramë drogë drejt Italisë. Trafikantët e drogës pas ndjekjes policore kanë braktisur mjetin në grykëderdhjen e Vjosës dhe janë larguar.

Mbi 500 kilogramë kanabis sativa është bllokuar në një gomone në grykëderdhjen e Vjosës, pranë fshatit Bishan. Mjeti lundrues u pikas në det nga Policia Kufitare dhe operacioni është zhvilluar në orët e para të mëngjesit.

Guardia Di Finanza dhe kufiri i Vlorës vijuan ndjekjen në det kurse forcat operacionale të FNSH-së Fier dhe të policisë lokale Fier e Vlorë patrulluan me disa grupe nga toka, me gjithë kushtet e vështira të motit.

Ndjekja policore detyroi trafikantët të futeshin në grykëderdhjen e lumit. Aty braktisën mjetin lundrues dhe lëndën narkotike në buzë të lumit Vjosë.

Duke përfituar nga errësira, të dyshuarit u larguan në drejtim të pyllit. Forcat e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë ndjekjen për kapjen e tyre.
Ndërsa është sekuestruar gomonia, 2 automjete, sasia e drogës si dhe prova të tjera që ndihmojnë hetimin.

Në këtë trafik droge dyshohet se janë të përfshirë edhe persona të tjerë. Destinacioni përfundimtar i lëndës narkotike dyshohet të ketë qenë Italia./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!