Vllaznia është në prag të rënies nga Superliga, pas humbjes me Partizanin në kryeqytet. Shkodranët u dënuan nga fitorja e Teutës në Korçë, përballë një Skënderbeu që luajti me rezervat.
Historia do të dënohet për të dytin vit radhazi.
Pas rënies së Tiranës në Kategorinë e Parë në 2017, në prag të zbritjes nga Superliga është Vllaznia.
Njëri pas tjetrit, dy klubet më të vjetër të futbollit shqiptar përjetojnë dramën më të madhe dhe të paktën në rastin e shkodranëve, nuk duket aq shumë e merituar.
Për fatin e tyre të keq, iu desh ta luanin ndeshjen e javës së 34-t në fushën e një Partizani që duhej të luftonte për veten, për të siguar një vend në Europë.
Kryeqytetasit ia dolën me suksesin 2-0, ndërsa Vllaznia me shumë gjasa u zhyt përfundimisht.
Kur duhen edhe dy javë, pra kur janë në lojë 6 pikë, kuqeblutë janë 5 pikë prapa rivalëve direktë, Kamzës e Teutës.
Trajneri Ernest Gjoka nuk priti më gjatë për të dhënë dorëheqjen, siç ia deklaroi Supersportit me të përfunduar takimi.
Nëse shkodranët logjikisht nuk kanë shumë shpresë, e kundërta vlen për Kamzën e Teutën.
Gjithsesi, fitoret e tyre ishin të ndryshme, pasi duket krejt normale që kamzalinjtë ia dolën në fushën e tyre ndaj Flamurtarit.
Një gol i Sebino Plakut nderoi vendasit e drejtuar prej disa javësh nga trajneri Julian Ahmataj.
Për fat të keq, gara u cënua në Korçë.
Skënderbeu nuk hodhi në fushë lojtarët kryesorë, duke ia bërë shumë të lehtë Teutës që të fitonte 3-1 dhe të siguronte praktikisht mbijetesën.
Një dhuratë për Teutën, por një goditje ndaj Vllaznisë, ndërsa trajneri vendas, Daja, e pati të vështirë të sqaronte atë që ndodhi.
Kur duhen edhe dy ndeshje deri në përfundim të kampionatit, Kamza e Teuta kanë nga 43 pikë ndaj 38 të shkodranëve.
Skënderbeu ka dalë tashmë kampion dhe Kukësi siguroi vendin e dytë që mund t’i japë edhe Championsin sezonin e ardhshëm.
Së fundi, për Europën, më pranë është Luftëtari, ndërsa shpresë ka edhe Partizani./abcnews.al