Vizita historike e Papës me Ajatollah Sistani: Terroristët tradhtojnë fenë

schedule12:41 - 6 Mars, 2021

schedule 12:41 - 6 Mars, 2021

Pas largimit nga Bagdad, Papa u nis për në jug të vendit, për një takim me Ajatollah Sistani.

Në fjalën e tij në takimin ndërfetar, Papa u shpreh se terroristët tradhtojnë fenë. Ajatollah Al Sistani është autoriteti më i lartë fetar i shiitëve. Takimi ishte privat dhe u mbajt në shtëpinë e liderit fetar. Ky ishte një nga takimet kryesore të Papa Franceskut në Irak.

Gjatë këtij takimi që zgjati rreth 45 minuta, Papa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe të miqësisë mes komuniteteve fetare sepse duke kultivuar respektin reciprok dhe dialogun, mund të kontribuohet në të mirën e Irakut, fesë dhe gjithë njerëzimit.

Sipas zëdhënësit të Vatikanit, takimi ishte dhe rasti për Papën që të falënderonte Ajatollah Sistani së bashku me komunitetin shiit, për mbrojtjen e më të dobëtëve dhe të persekutuarve.

Papa theksoi se ofendimi më blasfemi është përdorimi i emrit të Zotit duke urryer vëllain. Ai tha se besimtarët nuk mund të heshtin kur terrorizmi abuzon me fenë.

Kush ka besim nuk ka armiq, u shpreh Papa i cili këmbënguli se nuk mund të justifikohet asnjë formë imponimi, shtypje apo dhune./abcnews.al