Viti i ri shkollor, ministria nuk ka asnjë plan, shkollat private gati të nisin mësimin në 31 gusht

schedule17:02 - 8 Gusht, 2020

schedule 17:02 - 8 Gusht, 2020

Na ndajnë edhe pak javë nga nisja e vitit të ri shkollor 2020-2021. Megjithatë, ajo që dihet deri më tani është data 14 shtator që do të rikthejë procesin mësimor. Por, ajo çfarë nuk dihet është nëse nxënësit do të rikthehen në bankat e shkollës apo mësimi do të vazhdojë online.

Ministria e Arsimit çuditërisht nuk ka një plan konkret se si do të zhvillohet mësimi dhe mbi të gjitha se si do të zbatohet protokolli i sigurisë nëpër shkolla.

Nëse mësimi do zhvillohet në klasa, nuk bëhet e ditur se sa do të jetë numri i nxënësve në një klasë, në mënyrë që të ruhet distanca fizike.

Teksa disa shkolla jopublike kanë deklaruar se do të rinisin procesin mësimor me 31 gusht, Ministria e Arsimit nuk jep asnjë detaj konkret rreth kësaj vendimarrje.

Edhe për ekspertët e arsimit, Ministria është shumë e vonuar në planin e punës në prag të vitit të ri shkollor, pasi nuk dihet si do funksionojë shpërndarja e librave dhe si do të menaxhohet ruajtja e distancës fizike të nxënësve

“Mos të harrojmë që në datën 1 do te fillojë shpërndarja e teksteve shkollore dhe nuk e dimë si do të shpërndahen. Na ndajnë vetëm 12 ditë kur mësuesit do të shkojnë nëpër shkolla. A është bërë gati udhëzimi? Unë nuk di gjë. A është bërë një udhëzim se si do të jetë distancimi”, shprehet Ndriçim Mehmeti, ekspert për arsimin.

Shpërndarja e nxënësve në klasa të ndryshme për të zbatuar protokollin e sigurisë, kërkon edhe shtim të stafit të mësuesve

“Të mos harrojmë një gjë që duke i shpërndarë nëpër klasa do të na kërkonte një trupë mësimore gjë që nuk e kemi. Ne kemi 100-1200 mësues që bëjnë stazhin, ne mund ti angazhonim këta me një pagë 70% dhe do e kishim të siguruar atë që quhet distancimi fizik”, thekson Mehmeti.

Po ashtu një pikëpyetje tjetër që ngrenë ekspertët e arsimit është se Ministria e Arsimit duhet të ketë një plan të detajuar edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara.

“A ka menduar kjo ministri për fëmijët me aftësi të kufizuar. Kemi një problem shumë të madh, shto këtu edhe studimin e Bankës Botërore që na vendos në vendin e parafundit në Ballkan për rritjen e analfabetizmit”, shprehet Mehmeti. /abcnews.al