65 të vdekur nga koronavirusi, MSH me apel të fortë pas rëndimit të situatës tek Infektivi

schedule11:12 - 1 Korrik, 2020

schedule 11:12 - 1 Korrik, 2020

Në 24 orët e fundit, në vendin tonë janë regjistruar 45 raste të reja me koronavirus, ndërsa numri total i të infektuarve rritet në 2580. Po ashtu, vijojnë që të regjistrohen viktima prej Covid-19 dita ditës, sot dy persona raportohet të kenë humbur jetën. Ndërsa numri total i viktimave rritet në 65.

Ministria e Shëndetësisë njofton se tek Infektivi vijon që të ketë shtrime të reja me simptoma të rënduara si pasojë e Covid-19, dhe raste të reja pozitive të identifikuara nga epidemiologët në terren.

Lexo edhe: 45 raste të reja me koronavirus: Ulet numri i testeve dhe të infektuarve

Kjo reflektohet edhe nga numri i të shtruarve në këtë shërbim ku aktualisht po marrin kujdes shëndetësor 71 pacientë. Njoftohet se 10 prej tyre janë në terapi intensive, 2 janë të intubuar në gjendje të rëndë.

Nisur nga kjo situatë, MSH bën thirrje për respektim të rregullave dhe mbajtje të distancës, maskave dhe higjienës personale.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale edhe një herë ka një lutje për qytetarët dhe bizneset të tregojnë kujdes sepse virusi është ende mes nesh,” thuhet ndër të tjera në njoftim.  /abcnews.al/