Studentët në Beograd vijojnë protestat e tyre lidhur me shembjen e çatisë në një stacion hekurudhor që la së paku 13 viktima.
Dhjetëra mijëra protestues anti-qeveritarë në Beograd qëndruan këtë të premte në heshtje para godinës së televizionit shtetëror RTS për 15 minuta për të nderuar viktimat e shembjes së çatisë së stacionit të trenit, për të cilën ata fajësojnë autoritetet serbe.
Protesta u organizua dhe udhëhoq nga studentët e Universitetit të Beogradit, të cilët kërkojnë që ata që janë përgjegjës për aksidentin, që la të vdekur më shumë se një duzinë njerëzish, të gjykohen dhe të mbajnë përgjegjësi.
Vëllëzërit binjakë, Lazar dhe Luka Stojakovic, aktivistë në Fakultetin e Shkencave Organizative në Universitetin e Beogradit, ishin identifikuar nga një gazetë pro-qeveritare, Vecernje Novosti, si liderë protestash të paguar nga shërbimi sekret i Kroacisë. Pasaportat, fotografitë dhe të dhënat e tyre personale ishin publikuar në këtë gazetë. Megjithatë, Lazar dhe Luka nuk u frikësuan dhe vazhduan me protestat. Ata ishin ndër protestuesit para RTS-së të premten.