VIDEO/ Vrau të moshuarin, me pranga në duar, momenti i arrestimit të autorit të krimit në Memaliaj

schedule13:11 - 22 Gusht, 2024

schedule 13:11 - 22 Gusht, 2024

Policia e Gjirokastrës ka zbardhur vrasjen e 72-vjeçarit të ndodhur në Memaliaj dy ditë më parë.

Pas hetimeve dhe dokumentimeve të ngjarjes ka rezultuar se çifti i bashkëshortëve Skënder dhe Darovi Ajdini kanë nxitur 23-vjeçarin Blerti Kanushi dhe i kanë krijuar kushtet dhe mjetet për të kryer vrasjen.

23-vjeçari sipas policisë së Gjirokastrës në bashkëpunim me Skënder Ajdinin kanë kryer vrasjen me thikë të të moshuarit Faik Ajdini dhe më pas 23-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas kryerjes së krimit, Skënder Ajdini dhe Darovi Ajdini kanë zhdukur provat e krimit.

Ndërkohë ka rezultuar se Bledar Ajdini në dijeni të plotë për krimin, ka përkrahur autorin e krimit, duke mos informuar institucionet ligjzbatuese për vendndodhjen e tij.

Policia ka publikuar edhe pamjet ku shihet edhe telefoni i gjetur si edhe momenti i arrestimit të autorit të vrasjes.

“Nga sqarimi i rrethanave të ngjarjes dhe mekanizmit të ndodhjes së saj, nga ana jonë është organizuar puna për lokalizimin e kapjen e shtetasit Blerti Kanushi dhe sekuestrimin e të gjitha provave që dokumentonin autorësinë e tij në këtë krim të rëndë. Në vijim të hetimeve, më datë 20.08.2024 në orën 23:30, janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

1 . Skënder Ajdini, 71 vjeç për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga nenet 78/25, 80 dhe 302 të Kodit Penal;

2 . Bledar Ajdini, 43 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal.

Gjithashtu, në ndjekje të vazhdueshme dhe të pandërprerë të veprimeve operacionale dhe hetimore në terren, më datë 22.08.2024, ora 03:00, u arrestua në flagrancë shtetasi Blerti Kanushi, 23 vjeç për vepren penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/25 i Kodit Penal dhe shtetasja Darovi Ajdini, 64 vjeçe, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga nenet 301 dhe 302 i Kodit Penal. Nga gjithë tërësia e veprimeve hetimore të kryera, u arrit të gjenden, fiksohen dhe sekuestrohen me cilësinë e provës materiale, thika me të cilën ka kryer krimin autori, si dhe sende e mjete të tjera të cilat kanë influencuar në rrethanat e ngjarjes, të shfrytëzuara nga të dyshuarit. Këto sende dhe mjete do t’iu nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme shkencore”, sqarohet më tej në njoftimin e policisë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!