Vidhet për të dytën herë prokuroria e Durrësit

schedule08:08 - 24 Maj, 2018

schedule 08:08 - 24 Maj, 2018

Prokuroria e Durrësit është sulmuar dhe grabitur gjatë natës nga persona të paidentifikuar. Sipas njoftimit zyrtar është dëmtuar edhe serveri i kamerave të sigurisë.

Zyra e prokurorit të antikrimit financiar dhe serveri i Prokurorisë së Durrësit është dëmtuar. Kështu njoftoi zyrtarisht prokuroria disa orë pas sulmit që iu bë këtij institucioni. Persona të paidentifikuar, me sende të forta kanë hapur derën e Zyrës së Serverit ku kanë dëmtuar dhe marrë pajisje elektronike që regjistrojnë kamerat e sigurisë, thuhet në njoftim. Më tej, këta persona kanë hapur me forcë edhe zyrën e një prokurori dhe një zyre të oficerëve të policisë gjyqësore. Për këtë ngjarje u regjistrua procedimi penal dhe po kryhen veprime intensive nga grupi hetimor në lidhje me përcaktimin e faktit dhe identifikimin e autorëve të veprës.

Alarmi u dha nga pastruesja, e cila më pas u mor në pyetje. Bëhet fjalë për një sulm në katin e katërt të godinës së Prokurorisë. Shënjestra duket se ka qenë zyra e prokurorit të antikrimit financiar Afrim Shehu. Për shkak se aty janë gjetur dhe më shumë gjurmë dhe më shumë rrëmujë.

Prokurori Shehu po hetonte ndërkohe jë vetëm abuzimin me pronat, por edhe disa institucione të rëndësishme, portin, doganën, bashkinë, hipotekën si dhe grupe kriminale të cilat dyshohet se pastronin para. Nuk dihet se për çfarë saktësisht kanë qenë të interesuar autorët, por aty janë marrë një sërë dokumentesh.

Dy javë më parë, më 8 Maj, dy persona të paidentifikuar sulmuan korrierin e kësaj prokurorie dhe i morën atij dokumente sekrete, për të cilët ende nuk është bërë zyrtare përmbajtja e tyre.  /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!