Shkodra është një nga qytetet më të zjarrta përsa i përket futbollit. Thuajse çdo shkodran është i dashuruar me futbollin dhe e ndjekin me kërshëri Vllazninë, që këtë sezon më në fund ua mbushi zemrat duke u kthyer e fortë dhe fituar edhe Kupën e Shqipërisë.
Finalja u zhvillua mbrëmjen e djeshme dhe shkodranët arritën të fitonin me shifrat 0-1 me një gol të Da Silva. Risia e madhe për dje ishte lejimi i 1 mijë tifozëve në stadium me një leje të posaçme nga Ministria e Shëndetësisë.
Ky vendim u dha vetëm 7 ora nga ndeshja, por një shkodran nuk u pengua ta bëjë me biçikletë rrugën nga Shkodra në Tiranë, e gjatë 96 kilometra. Drini Liçi është intervistuar nga gazetari i ABC, Simon Shkreli dhe nuk i kursen as batutat në përgjigjen e tij. I riu vazhdon traditën e përdorimit së biçikletës, me Shkodrën, që njihet nga të gjithë si “Qyteti i Biçikletave”. /abcnews.al