VIDEO/ Shkarkimi i Mourinhos jep efekt, Tottenham triumfon në limite

schedule20:54 - 21 Prill, 2021

schedule 20:54 - 21 Prill, 2021

Fitore drithëruese e Tottenham. Klubi anglez shkarkoi trajnerin Jose Mourinho dy ditë më parë, ndërsa pak minuta më parë fitoi 2-1 ndaj Southampton. Fitore me përmbysje për djemtë e Ryan Mason, i cili do të drejtojë Spurs deri në fund të sezonit. Ndeshja u zhbllokua pas gjysmë ore lojë.

Danny Ings, ylli dhe goleadori i Southampton, realizoi me kokë pas një goditje këndi. Pushimi i ndeshjes i bëri mirë Tottenham, që i nisi 45 minutat e dyta me grintën e duhur. Gareth Bale barazoi ndeshjen në minutën e 60-të. Sulmuesi uellsian finalizoi me një goditje të saktë një aksion të bukur të skuadrës së tij.

Tottenham shtoi presionin dhe u shpërblye në minutën e fundit të përballjes. Penallti për vendasit dhe në mungesë të kapitenit Harry Kane (i dëmtuar), ekzekutimin e mori përsipër Son Heung-Min.

Koreani nuk gaboi, dërgoi topin në rrjetë dhe riktheu Tottenham te fitorja. Tre pikë të rëndësishme dhe vendi i gjashtë në Premier League për ekipin londinez, që ndodhet dy pikë larg Chelsea të vendit të katërt (ka luajtur një ndeshje më pak). /abcnews.al