Mësohen dy skuadrat e radhës që sigurojnë kualifikimin në çerekfinalet e Europa League. Ata janë Sevilla dhe Bayer Leverkusen, që i bashkohen Interit, Copenhagenit, Manchester United dhe Shakhtar Donetsk.
Sevilla-Roma ishte ndeshja më e fortë e raundit të 1/8 në këtë kompeticion. Sfida teke u luajt në “Schauinsland-Reisen-Arena”, stadiumin e Duisburg në Gjermani. Andaluzianët, që janë rekordmenët e Europa League (e kanë fituar 5 herë), triumfuan 2-0.
https://streamable.com/nz5aew
Të dy golat u realizuan në pjesën e parë. Sergio Reguilon zhbllokoi sfidën në minutën e 22-të. Mbrojtësi i majtë ndezi “turbon” pasi mori një top nga Banega, asnjë romanist nuk e frenoi dot dhe goditi saktë, duke mposhtur Pau Lopez.
Mbrojtja italiane tregoi probleme të mëdha dhe u godit sërish një minutë përpara fundit të 45 minutave të para. Argjentinasi Ocampos veproi bukur në krahun e djathtë të sulmit dhe dhuroi një asist për Youssef En Nesyri, me marokenin që nuk e pati të vështirë të dërgonte topin në rrjetë.
https://streamable.com/t2r6vb
Fitore e merituar për djemtë e Lopeteguit, të cilët do të përballen në çerekfinale me fituesin e çiftit Wolves-Olympiacos, ndërsa verdhekuqtë e mbyllën me dhjetë lojtarë pas daljes me të kuqe të Mancinit në minutën e dhjetë shtesë. Kualifikim arriti edhe Bayer Leverkusen, që kishte fituar 1-3 në ndeshjen e parë jashtë fushe kundër Rangers.
Ekipi gjerman fitoi sërish, kësaj radhe 1-0. Goli u shënua nga Moussa Diaby në fillimin e pjesës së dytë. Francezi mori një asist të bukur nga Aranguiz dhe nuk gaboi përpara portës së skuadrës skoceze. Leverkusen e pret një provë e vështirë në çerekfinale, aty ku do të ndeshjet me Interin e Antonio Contes. /abcnews.al
Europa League, raundi i 1/8
Bayer Leverkusen-Rangers 1-0 (3-1)
(Diaby 51′)
Sevilla-Roma 2-0
(Reguilon 22′, En Nesyri 44′)