VIDEO / Bllokohet trageti në Vlorë, transportonte lëndë kancerogjene, pranga 6 personave

schedule22:36 - 20 Shkurt, 2020

schedule 22:36 - 20 Shkurt, 2020

Policia e Vlorës ka vënë në pranga gjashtë persona të cilët akuzohen se për futjen e një sasie të konsiderueshme mbetjesh të rrezikshme  e të dëmshme për mjedisin dhe shëndetin e njeriut.

Në kuadër të operacionit të koduar, “Amiant” është bërë i mundur ndalimi i përgjegjësve dhe sekuestrimi i tragetit “ST Damian” që transportonte mbetjet e rrezikshme, që vinin nga Italia në drejtim të portit të Vlorës me destinacion përfundimtar Shqipërinë.

Gazetari Elton Nika raporton për ABC News se amianti i bllokuar këtë të enjtje në Vlorë do të përdorej për ndërtime, por cilësohet mjaft i rrezikshëm. Ai përdoret për izolim termik apo në taracë por është i ndaluar përdorimi i tij në Itali dhe në vendet e BE-së.

Policia është duke hetuar pasi dyshohet se mbetjet janë sjellë edhe herë të tjera në Vlorë duke u groposur.

Gjithashtu mësohet se janë ndaluar  pronari i grumbullimit të mbetjeve Zamir Kormuzi, Elisabeta Çuni administratore e një firmë mbetjesh, Arber Çuni shofer furgoni, Festim Tafa kapiten i tragetit dhe Kujtim Xhafellari zëvendës kapiten i tragetit.

Vlorë

Finalizohet operacioni policor “Amiant”

Operacioni nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Drejtoria për Kufirin e Migracionin Vlorë në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës dhe Ministrinë e Mjedisit.

Parandalohet dhe goditet një tentativë për futjen e një sasie të konsiderueshme mbetjesh të rrezikshme  e të dëmshme për mjedisin dhe shëndetin e njeriut. Mbetjet vinin me traget nga Italia në drejtim të portit të Vlorës me destinacion përfundimtar Shqipërinë

Vihen në pranga 6 persona përgjegjës.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale trageti, një fugon mallrash dhe një sasi e madhe e dyshuar me mbetje amianti.

Në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative nga strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale, se me një traget që ishte nisur nga Italia po transportohej një sasi e konsiderueshme me mbetje të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe ambientin, me qëllim për t’i depozituar në Shqipëri, u organizua puna dhe në bashkëpunim me Policinë vendore të Vlorës dhe atë Kufitare, u finalizua operacioni policor i koduar “Amiant”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

K. Xh., 65 vjeç, banues në Vlorë
A. Ç., 28 vjeç, banues në Vlorë
A. G., 48 vjeç, banues në Vlorë
F. T., 71 vjeç, banues në Vlorë
E. Ç., 55 vjeçe, banuese në Vlorë
Z. K., 45 vjeç, banues në Vlorë

Gjatë kontrollit të ushtruar në tragetin e linjës  Brindisi – Vlorë dhe konkretisht në pjesën fundore të garazhit, është gjetur dhe sekuestruar me cilesinë e provës materiale një sasi e papërcaktuar mbetjesh të ndaluara e të dyshuara të rrezikshme, për të hyrë në Republikën e Shqipërisë.Nga ana e Policisë u kryen veprimet procedurale ku në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua trageti si dhe sasia e mbetjeve, të cilat nuk u lejuan të dilnin nga ambienti i tragetit.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara”, “Menaxhimi i mbetjeve” dhe “Transportimi i mbetjeve”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!