VIDEO/ Roma triumfon në derbi, ngjyros kryeqytetin verdhekuq pas tre viteve

schedule22:38 - 15 Maj, 2021

schedule 22:38 - 15 Maj, 2021

Roma rikthehet të fitojë një derbi pas tre viteve. Verdhekuqtë mposhtën 2-0 Lazion në “Olimpico”, duke i dhënë fund ecurisë prej katër ndeshjesh pa fitore. Henrikh Mkhitaryan dhe spanjolli Pedro ishin autorët e golave ndaj “armiqve” të përjetshëm.

Të parët e gjetën rrjetën bardhekaltrit me anë të Vedat Muriqit pas gjysmë ore lojë, por sulmuesi nga Prizreni ishte në pozicion të parregullt. Roma përfitoi nga situata dhe kaloi në avantazh në minutën e 42-të.

Asist i Edin Dzekos dhe finalizim i thjeshtë për fantazistin armen. Goli i qetësisë erdhi 12 minuta përpara fundit të takimit. Pedro bëri gjithçka bukur, shfaqi klasin e tij dhe dërgoi topin pas shpinës së Pepe Reinas.

Francesco Acerbi humbi qetësinë në minutat e fundit dhe Lazio e mbylli sfidën me dhjetë lojtarë. Përfundimisht 2-0 për ekipin e Paulo Fonsecas, me trajnerin portugez që ia del të fitojë derbin e zjarrtë përpara se t’i lërë vendin Jose Mourinhos.

Vedat Muriqi e nisi si titullar përballjen e sotme dhe u zëvendësua pas një ore lojë, ndërsa në krahun e fituesve Marash Kumbulla u fut në fushë në minutën e 38-të në vend të brazilianit Ibanez. /abcnews.al