VIDEO/ Robert Lewandowski në histori, Bayern thyen ekipin e Abrashit

schedule17:25 - 17 Janar, 2021

schedule 17:25 - 17 Janar, 2021

Eliminimi nga Kupa e Gjermanisë në mesjavë e tronditi Bayern Munchen. Bavarezët u eliminuan nga Holstein Kiel, me ekipin e divizionit të dytë që kaloi në raundin e 1/8 pas goditjeve të penalltive (koha e rregullt përfundoi në barazim 2-2).

Djemtë e Flick vuajtën edhe sot ndaj Freiburg në kampionat, por ia dolën të merrnin tre pikët pas suksesit 2-1 në shtëpi. Amir Abrashi e nisi nga stoli për miqtë, por qëndroi vetëm pak aty. Baptiste Santamaria u dëmtuar në minutën e pestë dhe “pitbulli” shqiptar u fut në fushë.

Sfidën e zhbllokoi Robert Lewandowski në minutën e 17-të. Asist i Thomas Muller dhe finalizim i polakut, i cili ka vendosur një rekord fantastike në elitën e futbollit gjerman. Ky ishte goli i 21-të në Bundesligë, në vetëm 16 takime të luajtura, një shifër që nuk e kishte arritur askush më parë.

Freiburg gjeti golin e barazimit pas një ore lojë. Nils Petereson shënoi me kokë, por Bayerni realizoi golin e fitores në minutën e 75-të. Autori Thomas Muller, i cili tregoi aftësitë e bomberit brenda zonës kundërshtare, duke i dhuruar tre pikët ekipit të tij. /abcnews.al